Masters 1000 Cincinnati/ Dramë për Sinner, dorëzohet pas 20 minutash, Alcaraz shpallet kampion
Finalja e shumëpritur e Masters 1000 Cincinnati midis Jannik Sinner dhe Carlos Alcaraz zgjati vetëm 20 minuta, duke u mbyllur në mënyrë dramatike për shkak të dorëzimit të italianit. Numri një i botës, që shpresonte të mbronte titullin e fituar një vit më parë, u detyrua të tërhiqej pasi nuk ndihej mirë fizikisht.
Që në fillim, Sinner u duk i pasigurt në lëvizje dhe me fytyrë të shqetësuar. Pas një konsultimi të shkurtër me fizioterapistin dhe mjekun, ai i tha Alcaraz-it: “Më vjen keq, nuk ia dal dot. Ndihem shumë keq, nuk mund të lëviz. Hyra vetëm për tifozët”. Në atë moment rezultati ishte 5-0 për spanjollin, i cili kishte shfrytëzuar dobësinë e rivalit për të dominuar pa shumë vështirësi.
Alcaraz, që konfirmon edhe një herë statusin e tij si një nga lojtarët më të fortë të momentit, bëhet kampion i Cincinnati-t dhe shënon një tjetër sukses madhor në karrierë. Ky është Masters-i i tetë për të, duke e bërë në moshën 22 vjeç e 3 muaj lojtarin e dytë më të ri në histori që arrin këtë shifër.
Sinner humb kështu mundësinë për t’u bërë i pari pas Roger Federer-it (2014-2015) që fiton dy tituj radhazi në Cincinnati. Saga “Sincaraz”, që këtë vit ka ndezur finalet në Romë, Roland Garros e Wimbledon, ndalet papritur nga problemet shëndetësore të italianit, ndërsa Alcaraz feston një tjetër trofe prestigjioz.