'Liderët botërorë të tensionuar para Trump'/ Çeno për samitin: Priten lëvizje kufijsh në kurriz të ukrainasve, ja çfarë spikati nga takimi

Sekretari për marrëdhëniet Ndërkombëtare në PD, Enri Çeno, ka komentuar samitin Zelensky–Putin që po zhvillohet në Shtëpinë e Bardhë me pjesëmarrjen e liderëve evropianë. Në një intervistë për edicionin “Ora 19” në Syri TV, Çeno theksoi se takimi u karakterizua nga tension i dukshëm mes liderëve, çka tregon se çdo detaj ishte diskutuar më herët dhe pritet të ridiskutohet në Zyrën Ovale.

Sipas tij, presidenti amerikan Donald Trump përballet tani me një mision më të vështirë se më parë, pasi nga liderët evropianë është kërkuar një armëpushim i menjëhershëm. “I takon atij si negociator të bisedojë me presidentin Putin për të kërkuar minimalisht një armëpushim qoftë edhe të përkohshëm”, u shpreh Çeno.

Ai shtoi se për këtë është parashikuar një periudhë 30-ditore brenda së cilës duhet të zhvillohen të gjitha negociatat, takimet dhe diskutimet mbi kërkesat e palëve për të arritur në një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

Çeno theksoi se Trump pritet të zhvillojë bisedime të drejtpërdrejta me presidentin rus dhe ekipin e tij menjëherë pas samitit, duke ndjekur linjën e deklaruar më herët.

Megjithatë, sipas tij, çdo lëvizje kufijsh do të bëhet në kurriz të popullit ukrainas dhe presidentit Volodymyr Zelensky, i cili mund të vulosë fundin e tij politik. “Unë besoj që me përfundimin e luftës, Zelensky do ta mbyllë karrierën e tij,” përfundoi Çeno.

Çeno:

Ajo që dallohesh qartë është tensioni që kishin të gjithë liderët në momentin që filluan të flasin, asiguriasht duket qartë se është diskutuar çdo pikë që do të ridiskutohet tani në Zyrën Ovale.

Ajo që mund të them është që Donald Trump, presidenti amerikan, tashmë ka një detyrë paksa më të vështirë sesa më parë meqenëse të gjithë liderët evropianë kërkuan një lloj armëpushimi. I takon atij si negociator të bisedojë me presidentin rus, me presidentin Putin, që minimalisht të kërkojë ndoshta një armëpushim qoftë edhe të përkohshëm.

Për të kërkohet një periudhë ndoshta 30 ditore brenda së cilës duhet të fillojnë negociatat, duhet të realizohen të gjitha takimet, të diskutohen të gjitha pikat, kërkesat e njërës palë dhe kërkesat e palës tjetër për të arritur në fund në një marrëveshje gjithëpërfshirëse ku palët të bien dakord.

Unë besoj që menjëherë pas përfundimit të samitit të sotëm në Shtëpinë e Bardhë, presidenti amerikan do të bisedojë menjëherë, siç e deklaroi edhe më parë në telefonatë, me presidentin Putin dhe me ekipin e tij për të diskutuar edhe për pikat që janë diskutuar edhe me Evropën sot.

Sigurisht që mund të ketë lëvizje kufijsh, kjo është në kurriz të popullit ukrainas dhe të Zelensky-t i cili në këtë çast do vulosë dhe fundin e tij politik. Unë besoj që ai me përfundimin e luftës do ta mbyllë karrierën e tij.