SYRI TV/ Skandal, stadium me kulla edhe në Vlorë, miratohet projekti në Këshillin Bashkiak
Këshilli Bashkiak i Vlorës miratoi mes debatesh të forta projektin i cili parashikon ndërtimin e kullave shumëkatëshe edhe në stadiumin “Flamurtari” dhe në Pallatin e Sportit të qytetit bregdetar. Përfaqësuesit e opozitës në këshill akuzuan kreun e bashkisë Ermal Dredha dhe qeverinë socialiste, se pasuritë publike po ia japin privatit, konkretisht biznesmenit Sinan Idrizi.
SYRI TV
Edhe stadiumi “Flamurtari” i qytetit të Vlorës bie pre e kullave. Ky është vendimi që ka marrë sot mes debateve të shumta Këshilli Bashkiak i qytetit bregdetar. Projekti, ashtu si edhe gjithë projektet e tjerë të ngjashëm, ku rrëmbehet toka publike dhe i jepet privatit, i paraqitet opinionit publik me togfjalëshin tashmë të njohur “rijetëzim urban”. Stadiumi “Flamurtari”, Pallati i Sportit, Pishina dhe aneksi stërvitor pritet të përfshihen në një projekt të ri, të ngjashëm me atë të stadiumit kombëtar “Air Albania”, ku vendin kryesor do ta zënë kullat shumëkatëshe. Plani për këtë projekt parashikon shembjen e infrastrukturës ekzistuese dhe ndërtimin e një kompleksi të ri, teksa Pallati i Sportit do të degdiset diku tjetër. Parashikohet të ndërtohet një parkim me sipërfaqe prej 6 mijë metrash katrorë, si edhe një kompleks banimi dhe shërbimi me rreth 200 mijë metra katrorë. Përfaqësuesi i opozitës në Këshillin Bashkiak, Atird Hoxha ka dalë kundër projektit, duke u shprehur se toka publike po i jepet Sinan Idrizit, ndërsa ka theksuar faktin se nëse ky projekt nuk do të parashikonte ndërtimin e kullave, atëherë edhe vetë ai do ta votonte.
Nga ana tjetër, Kryetari i Bashkisë, Ermal Dredha u shpreh se në vend të një infrastrukture të rrënuar e të braktisur, Vlora do të ketë një stadium të ri, por shmangu komentet për përfituesin kryesor nga ky projekt që është Sinan Idrizi.
Pavarësisht kundërshtive të opozitës, projekti u miratua me 30 pro, 4 kundër dhe 1 abstenim. Ky projekt pritet të jetë një nga më të mëdhenjtë në jug të vendit dhe të ndezë debatin për mënyrën se si jepen dhe menaxhohen asetet publike.