Itali/ Zbulohet identiteti i shqiptarit që ndërroi jetë pasi u qëllua me Taser, dy karabinerë në hetim! (EMRI+FOTO)

Dy karabinierë janë në hetim për vdekjen e Elton Banit, 47 vjeçar shqiptar, i cili ndërroi jetë pasi u godit me Taser (armë elektrike) nga karabinierët. Ngjarja u shënua të dielën në mbrëmje, 17 gusht 2025, në Sant’Olcese, në zonat malore të Gjenovës. Sipas hetuesve, goditjet mund të kenë shkaktuar një arrest kardiak.

Karabinierët janë nën hetim, ndërsa prokurorja Paola Calleri pritet të hapë një dosje për vrasje nga pakujdesia dhe të urdhërojë autopsinë. Sipas hetimeve të para, fqinjët e viktimës kanë telefonuar karabinierët pasi kishin dëgjuar ulërima dhe zhurma të forta nga apartamenti i tij.

Në vendngjarje kanë mbërritur dy patrulla, ku kanë gjetur 47-vjeçarin në një gjendje të irrituar, ndoshta nën efektin e alkoolit. Një prej karabinierëve ka përdorur Taser-in, i cili ka goditur, sipas policisë, një pjesë të trupit të viktimës dhe pjesërisht një koleg të tij. Një goditje e dytë gjithashtu nuk ka pasur efekt, ndërsa më pas arma është përdorur nga një karabinier tjetër, që e ka goditur sërish.

Kur personeli i emergjencës 118 ka mbërritur, nuk ka mundur të bëjë më shumë, veçse të konstatonte vdekjen e tij. Po vijojnë hetimet për të përcaktuar përgjegjësitë e mundshme të karabinierëve.

Dy vdekje brenda 48 oresh

Brenda dy ditësh, të shtunën dhe të dielën (16 - 17 gusht) dy persona humbën jetën pasi u goditën me taser, nga forcat e rendit duke i shkaktuar shkarkim elektrik. Dy rastet u shënuan në Olbia dhe Gjenovë, duke shkaktuar menjëherë polemika mbi përdorimin e Taser-it në ndërhyrjet për sigurinë publike.