Infantino dënon racizmin në Gjermani: Ngjarje të papranueshme

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka dënuar ashpër ofendimet raciste që ndodhën gjatë fundjavës së kaluar në dy ndeshje të Kupës së Gjermanisë, duke i cilësuar si “të papranueshme”. “E përsëris dhe do të vazhdoj ta bëj: nuk ka vend për racizmin në futboll,” tha Infantino në një deklaratë zyrtare të FIFA-s.

Një nga incidentet ndodhi gjatë ndeshjes Lokomotiv Liepzig – Schalke 04, e cila u ndërpre pasi sulmuesi i skuadrës mysafire, Christopher Antwi-Adjei, i raportoi arbitrit se ishte viktimë e ofendimeve raciste nga një pjesë e tifozëve vendas. Megjithëse një njoftim publik i stadiumit dënoi këtë sjellje, pas rifillimit të ndeshjes, Antwi-Adjei u fishkëllye përsëri nga publiku vendas, ndërsa Lokomotiv më vonë kërkoi falje.

Të njëjtën ditë, një lojtar i Kaiserslautern-it raportoi abuzime raciste nga një tifoz i Eintracht Stahnsdorf. Infantino siguroi se FIFA “do të monitorojë me kujdes këto incidente” dhe premtoi bashkëpunim me Federatën Gjermane të Futbollit (DFB) “në luftën kundër racizmit”.