Roma gjen ‘armën’ e re sulmuese, Leon Bailey së shpejti zbarkon në kryeqytet
Roma ka mbyllur me sukses një tjetër goditje në merkato. Klubi verdhekuq ka arritur marrëveshjen me Aston Villa-n për transferimin e Leon Bailey, sulmues xhamajkan, i cili pritet të bashkohet menjëherë me skuadrën e Gian Piero Gasperinit.
Operacioni është mbyllur nga drejtori sportiv, Massara, me formulën e huazimit prej 2 milionë eurosh, me të drejtë blerjeje të fiksuar në 22 milionë. Ky opsion do të kthehet në detyrim në rast të përmbushjes së disa kushteve sportive, të cilat nuk konsiderohen të lehta.
Bailey do të zbarkojë në Romë mes mbrëmjes së sotme dhe mëngjesit të nesërm, me avion në Ciampino, ku do të kryejë vizitat mjekësore dhe më pas do të firmosë kontratën.
Pas refuzimit të Sancho=s, Gasperini më në fund merr një element të rëndësishëm për repartin ofensiv, por pret ende përforcime të tjera për të kompletuar skuadrën.
Leon Bailey është një lojtar me talent të madh, i njohur për shpejtësinë, driblimin dhe gjuajtjet nga distanca. Karriera e tij ka qenë shpeshherë e ndjekur nga kurioziteti për historinë e jetës, e cila ka prekur madje edhe familjen mbretërore britanike. Tani, 27-vjeçari mbërrin në Itali me synimin për t’u bërë protagonist i Romës së re, duke i dhuruar Gasperinit gola dhe fantazi.
Verdhekuqtë shpresojnë që kjo lëvizje të sjellë energji të re në sulm, në një sezon ku pritshmëritë janë të larta.