'Qytetarëve u shitet rijetëzim, por është betonizim'/ Hoxha: Pas projektit të stadiumit të Vlorës fshihen klientët e qeverisë dhe lidhjet me Turqinë
Këshilltari i Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak të Vlorës, Atird Hoxha, ka reaguar në një intervistë për Syri TV lidhur me projektin e 'rijetëzimit' të zonës sportive në qytet. Ai u shpreh se opozita nuk është kundër rikualifikimit të ambienteve sportive dhe rekreative për të rinjtë dhe qytetarët, por kundërshton faktin që projekti në masën 85% është i shoqëruar me kulla dhe ndërtime që, sipas tij, u shërbejnë interesave të klientëve të qeverisë.
“Ne nuk mund të pranojmë që nga një ambient sporti të kthehet në një hapësirë për pasurimin e qeverisë dhe për pastrimin e parave, siç është përmendur edhe në një artikull të Telegraph”, theksoi Hoxha.
Ai akuzoi se pas projektit qëndrojnë klientë të qeverisë, duke përmendur konkretisht biznesmenin Sinan Idrizi, administrator i ekipit të futbollit Flamurtari, i cili sipas tij është i lidhur me kompaninë Air Albania dhe me eksponentë të caktuar në Turqi.
Sipas Hoxhës, projekti ka marrë një tjetër formë nga ai i miratuar më herët, ndërsa Pallati i Sportit në bulevardin “Ismail Qemali” është zëvendësuar me një kullë gjigante mbi 40 kate, që ai e cilësoi si interesin kryesor të nismës.
Këshilltari demokrat shtoi se nuk ka asnjë arsye për ngritjen e këtyre kullave, të cilat po u paraqiten qytetarëve si pjesë e rijetëzimit të zonës sportive.
“Nuk është rijetëzim, por një skemë e ngjashme me atë të Arenës Kombëtare, vetëm se këtu përmasat janë shumë më të mëdha, pasi nuk bëhet fjalë për një kullë, por për 10 apo 12 të tilla”, deklaroi ai.
Hoxha:
Këshilltari i Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak të Vlorës, Atird Hoxha, përmes një interviste në Syri TV u shpreh: Ne nuk kemi qenë kundra sa i përket rijetëzimit të ambienteve sportive e rikreative për të rinjtë e të rriturit që dëshirojnë të jenë të angazhuar, por në momentin që ky projekt vjen i shoqëruar në 85% të tij me kulla dhe ndërtime që u shërbejnë interesave të klientëve të qeverisë, absolutisht që nga ana jonë ka pasur e do të ketë kundërshti sepse nuk mund të kurresesi që nga një vend i cili nga një ambient sporti, sot të kthehet në një ambient të qeverisë për t’u pasuruar dhe për të bërë edhe, duke iu referuar artikullit të Telegraph, pastrimin e parave.
Unë mendoj se janë klientët e qeverisë dhe kryesisht është një personazh i cili sot administron edhe ekipin e futbollit të Flamurtarit, Sinan Idrizi, i cili është nga njerëzit që është përfolur edhe në media për sa i përket edhe kompanisë Air Albania, ku familjarë të kompanisë së tij janë edhe aksionerë të kompanisë Air Albania dhe njihet edhe për lidhjet e tij me eksponentë të caktuar në Turqi dhe mendoj që mbrapa këtij projekti qëndrojnë pikërisht këta eksponentë të cilët nëse do të konkludojnë me këtë projekt që mesa duket kanë avancuar goxha, sepse në një miratim të mëhershëm të këtij projekti, nuk ishte në këtë format.
Sot Pallati i Sportit, i cili ndodhet në bulevardin Ismail Qemali, është zëvendësuar pikërisht nga ajo kullë e madhe e cila kalon 40 kate dhe që është edhe interesi kryesor mendoj unë i gjithë këtij projekti, pa përjashtuar absolutisht edhe të gjitha kullat e tjera të cilat ngrihen edhe rreth e rrotull.
Nuk ka asnjë arsye që këto kulla të ngrihen, ku u propagandohet edhe qytetarëve që kemi të bëjmë me rijetëzimin e zonës sportive. Nuk është rijetëzim, është pak a shumë e njëjta skemë e cila është përdorur në Arenën Kombëtare por këtu, në opinionin tim, në përmasa shumë herë më të mëdha sepse nëse në Arenën Kombëtare kemi stadiumin dhe një kullë, këtu janë 10 apo 12 kulla të cilat do të marrin jetë pas miratimit të këtij projekti.