Greqia pezullon kërkesat për azil mes rritjes së fluksit të emigrantëve
Qeveria greke ka pezulluar të gjitha kërkesat për azil për migrantët që mbërrijnë nga deti, një vendim i cili sipas saj ka ndihmuar në frenimin e kalimeve, të cilat në korrik arritën kulmin me mbi 2,500 persona brenda një jave. Vendimi, i miratuar në parlament me 177 vota pro dhe 74 kundër, ka shkaktuar debate të forta politike dhe kritika nga organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Pavarësisht masës së qeverisë, mbi 120 emigrantë u ndaluan në Kretë të hënën në mëngjes, pas kapjes së dy anijeve që besohet se ishin nisur nga Libia me gjithsej 126 persona në bord. Gjatë fundjavës, më shumë se 100 migrantë të tjerë arritën në ishull, pasi kushtet e motit u përmirësuan. Ministri i Migracionit, Thanos Plevris, e përshkroi situatën si një “pushtim”, duke theksuar se deri në 1,000 persona po mbërrinin çdo ditë.
Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët dhe Këshilli i Evropës shprehën shqetësim, duke paralajmëruar se masat e Athinës rrezikojnë të cenojnë të drejtat themelore dhe detyrimet ndërkombëtare të Greqisë. Ndërkohë, qeveria po përgatit një projektligj që parashikon rregulla më të ashpra për paraburgimin, përfshirë mbajtjen e migrantëve të refuzuar nën monitorim elektronik përpara deportimit.
Greqia mbetet një pikë kryesore hyrjeje në BE për refugjatët nga Lindja e Mesme, Afrika dhe Azia. Vetëm vitin e kaluar mbi 60,000 migrantë zbarkuan në territorin grek, ndërsa deri në mesin e qershorit 2025 janë regjistruar mbi 16,000 mbërritje, kryesisht nga deti. Autoritetet paralajmërojnë se trafikantët po përdorin gjithnjë e më shumë rrugë të gjata dhe të rrezikshme nëpër Mesdhe, duke transportuar migrantë me anije të mëdha drejt brigjeve greke.