‘Trevat e verilindjes të zbrazura’ / Deputeti i PD: Edi Rama zbrazi rrethet, pashaportizimi në vendlindje një nismë që rikthen shpresën
Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike për qarkun e Lezhës, Gjin Gjoni, në një postim në rrjetet sociale, ka ngritur shqetësimin për pasojat e rënda të eksodit demografik, i cili prej tre dekadash po zbraz trevat verilindore dhe ato juglindore të vendit.
Sipas tij, një nismë konkrete që do të ndihmonte në rikthimin e vëmendjes dhe lidhjes së qytetarëve me vendlindjen është "pashaportizimi në vendlindje".
Gjoni përmend zona si Mirdita, Mati, Tropoja, Hasi, Puka, Malësia e Madhe, por edhe krahina të tjera si Tepelena, Skrapari, Gramshi etj., të cilat sipas tij, janë lënë pas dore nga shteti, veçanërisht pas reformës territoriale të vitit 2015, të cilën e cilëson si një projekt të ndërtuar për interesa elektorale dhe jo për zhvillimin e komuniteteve.
Ai paralajmëron se një reformë e re territoriale rrezikon të shkrijë bashki të tëra që tashmë kanë humbur deri në 80% të popullsisë krahasuar me vitin 1990, duke krijuar pasoja të rënda shoqërore e kulturore.
Postimi i plotë:
“Pashaportizimi në vendlindje”, një nismë që kuron pasojat dramatike të eksodit në rrethe!
Trevat e verilindjes, kryesisht Mirdita, Mati, Hasi, Tropoja, Puka e Malësia e Madhe ashtu si dhe shumë krahina kryesisht në jug e juglindje të vendit prej 3 dekadash përballen me plagën e rëndë të eksodit.
Reforma territoriale e 2015 e qepur si një kostum për llogaritë elektorale të Edi Ramës dhe jo për nevojat e qytetarëve, gërshetuar dhe me diskriminim në investime, bënë në këto treva eksodi vetëm të nxitej dekadën e fundit.
Një reformë e re territoriale, rrezikon të shkrijë Bashki si Mirdita, Tropoja, Puka, Mati, Bulqiza, Tepelena, Skrapari e Gramshi që në raport me vitin 1990 kanë humbur nga 60% deri në 80% të popullsisë dhe kjo do ishte dramatike së pari për banorët e këtyre trevave dhe së dyti për atë çfarë këto treva i kanë dhënë Shqipërisë përgjatë shekujve.
Krerët e këtyre Bashkive duhet të jenë në lartësinë e detyrës që ti dalin zot qytetarëve të tyre dhe një nisëm e vlefshme do të ishte “Pashaportizimi në vendlindje”
Njoh me qindra qytetarë mirditorë, kuksianë, hasianë, tropojanë, që jetojnë kryesisht në Tiranë dhe Durrës që në shumë raste, eventet familjare zgjedhin ti bëjnë në vendlindje si për të dhënë një hov sipërmarrjeve në vendlindjen e tyre.
Jam besimplotë se shumë prej tyre do të zgjidhin me dëshirë, që dhe pashaportizimin ta rikthenin në vendlindje, si një nismë që i shërben vendit ku kanë lindur.
Më shumë se kurrë është koha që secili na ne të pyesë veten se çfarë kontributi mund të japë për vendlindjen e tij.