E vetmja gjë që duhet të bëjë Rusia është të shkojë në shtëpi

Nga Olga Rudenko/

Vladimir Putini dukej sikur po shijonte çdo minutë.

Zoti Putin, presidenti i Rusisë, njeriu që ka shpallur se vendi im nuk duhet të ekzistojë, se është një gabim historik, që duhet ndrequr nga ushtarët rusë, u prit me entuziazëm në Alaskë nga presidenti i Shteteve të Bashkuara. Zoti Putin doli nga avioni, nga izolimi diplomatik, dhe eci mbi qilimin e kuq si një i ftuar i nderuar.

Buzëqeshja e tij ishte triumfale. A ishte besim se do t’i shpëtonte gjithçkaje që kishte bërë? Apo ishte pritshmëria që do të merrte atë që donte: një Ukrainë të nënshtruar dhe një aleancë transatlantike të dobësuar? Ndoshta të dyja bashkë.

Amerikanët mund të jenë ndjerë keq, por për ukrainasit, ta shihnin Putinin duke u zgërdhirë e qeshur ishte neveritëse.

Takimi mes Putinit dhe presidentit Trump të premten ishte një kujtesë e qartë e një të vërtete të thjeshtë: pengesa e vetme, pengesa e vërtetë, mes Trump-it dhe paqes në Ukrainë (dhe Çmimit Nobel që ai lakmon) është Putini. Rusia mund ta mbyllte luftën në Ukrainë në çdo moment duke ndaluar sulmet dhe duke tërhequr forcat. Thjesht duke u kthyer në shtëpi. Putini mund ta mbyllte me një telefonatë.

Putini, dhe ndonjëherë edhe Trump-i, kanë tentuar ta paraqesin Ukrainën si pengesë për paqen. Por le të mendojmë se si Ukraina mund ta mbyllte këtë luftë në kushtet që do pranonte Putini: duke i dhënë gjithçka. Duke dorëzuar territore për të cilat kanë vdekur dhjetëra mijëra vetë, duke hequr dorë nga perspektiva për t’u anëtarësuar ndonjëherë në NATO ose në Bashkimin Europian, duke pranuar të mos ketë një ushtri të mjaftueshme për t’u mbrojtur dhe duke vendosur një qeveri kukull të bindur ndaj Putinit. Praktikisht, duke pranuar të mos ekzistojë më.

Për një ukrainas, dhe me siguri për shumicën e njerëzve, ideja për t’i dhënë diçka, e aq më pak gjithçka, një pushtuesi që solli vdekje dhe shkatërrim në një vend paqësor, është krejtësisht e gabuar.

Një sondazh i fundit i Gallup tregoi se 69 për qind e ukrainasve duan që lufta të përfundojë përmes negociatave, dhe shpejt. Ky numër, që u rrit nga 22 për qind në vitin 2022, viti i parë i pushtimit në shkallë të plotë nga Rusia, është interpretuar gjerësisht si shenjë se ukrainasit tani janë të gatshëm për kompromis. Por është më e ndërlikuar se kaq. Sondazhe të tjera që kanë pyetur më saktë për çështjen e përfundimit të luftës, “A duan ukrainasit të dorëzojnë territore Rusisë për ta përfunduar luftën?”, treguan se shumica ende thonë “jo”.

Kjo nuk është kokëfortësi. Është një refuzim logjik dhe i justifikuar ndaj padrejtësisë.

Ndërsa e shikoja takimin drejtpërdrejt në orët e para të së shtunës në Kiev, telefoni më ndizej pa pushim me njoftime se dronë rusë po shënjestronin qytetet ukrainase, siç bëjnë pothuajse çdo natë. Ishte një provë shtesë se njeriu mbi qilimin e kuq nuk kishte asnjë qëllim serioz për të sjellë paqe.

Çfarë fitoi Trump-i nga kjo përkëdhelje? Kur dy presidentët dolën nga takimi, Trump-i e lavdëroi diskutimin dhe foli në mënyrë të paqartë për “disa përparime”, por tha se nuk kishin arritur një marrëveshje. Para takimit, Trump dukej sikur po anonte drejt një qasjeje më të ashpër ndaj Rusisë, dhe kishte dhënë siguri për Volodymyr Zelensky-n, presidentin e Ukrainës, dhe për liderët europianë vetëm disa ditë më parë se çdo marrëveshje paqeje duhet të fillonte me një armëpushim dhe të mos negociohej pa Ukrainën në tryezë.

Por pas takimit, nuk kishte asnjë plan për sanksione të reja ndaj Rusisë, as afate dhe as kërkesa për një armëpushim të shpejtë. Në vend të kësaj, Trump tani duket se sugjeron që palët të shkojnë drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse bazuar në dorëzimin nga Ukraina të pjesës tjetër të rajonit lindor të Donbasit, përfshirë edhe disa zona që nuk janë të pushtuara nga trupat ruse, në vend që të këmbëngulë fillimisht për një armëpushim. Kjo është, natyrisht, ideja e preferuar e Rusisë. Pas takimit, Putini, ende me buzëqeshje, dukej se nuk kishte lëvizur nga asgjë.

Trump-i, i shtyrë nga padurimi dhe miqësia e tij e ndërlikuar me Putinin, tani sërish në ngritje, mund të përpiqet ta detyrojë Ukrainën të mbyllë luftën me kushtet e Rusisë.

Por pranimi i një marrëveshjeje ruse mbi kokat e ukrainasve do të ishte një fyerje ndaj kujtimit të dhjetëra mijëra ukrainasve që kanë vdekur duke mbrojtur vendin e tyre. Do të ishte një shuplakë për civilët që janë detyruar të ikin, duke i bërë të shohin një flamur rus që ngrihet mbi shtëpitë e tyre të shkatërruara. Do të shkatërronte shpresën e ukrainasve që jetojnë në territoret e pushtuara nga Rusia.

Te Kyiv Independent, organizata mediatike ukrainase ku punoj, pjesë e punës sonë ditët para samitit ishte të zbulonim çfarë mendonin ukrainasit për këtë takim.

“Për çfarë kanë shërbyer gjithë këto vdekje?” tha Nataliia Prykhodko, e veja e një ushtari ukrainas, për një koleg. “Si mund ta vendosin ata fatin tonë pa ne?”

Oleksii Ladyka, një ushtar, përshkroi se si ndihej kur lexonte për diskutime mbi shkëmbime territoresh nga fusha e betejës në lindje të Ukrainës. “Kur flisni për rajonin e Donetskut sikur të ishte një kek i ngrohtë që mund ta kaloni dorë më dorë,” tha ai, “dua që ata të kujtojnë se secili këtu ka familjen e vet, ka njerëzit e dashur, ka një shpresë dhe një dëshirë për një jetë të qetë dhe një të ardhme për fëmijët e tyre, si çdo njeri në botë.”

Të hënën, Zelensky, i cili u përjashtua nga samiti, ishte planifikuar të takohej me Trump-in në Shtëpinë e Bardhë. Ukrainasit presin që ata të paraqiten si pengesa e paqes në ditët dhe javët në vijim.

Për këtë, më lejoni të them sërish për ata që ende po dëgjojnë: Rusia thjesht mund të shkojë në shtëpi. / New York Times - Syri.net