Rama mbylli TikTok-un për politikë, jo për dhunën e adoleshentëve, ajo vazhdon rritet frikshëm

Një vit pas ndalimit të rrjetit social, dhuna mes të rinjve vazhdon të marrë jetë të rinjsh.

Statistikat vërtetojnë katërcipërisht se vendimi i Edi Ramës për të mbyllur rrjetin social TikTok vetëm pak muaj para zgjedhjeve të 11-Majit, ishte një vendim i motivuar nga frika e kritikave online, jo për mbrojtjen e fëmijëve.

Nuk është lajm hipokrizia e Ramës për shumkënd, por po risjellim disa të dhëna për ta kuptuar këtë gjë edhe më naivët.

Një vit pas vendimit personal të Ramës për të mbyllur TikTok-un, krizat e dhunës mes adoleshentëve në Shqipëri vazhdojnë të shpërthejnë. Vrasja e 14-vjeçarit Erald Xhejo në Pirg të Maliqit është dëshmia më e freskët se ndalimi i platformës nuk kishte asnjë lidhje me parandalimin e tragjedive, por ishte një akt politik për të kontrolluar hapësirën e kritikës ndaj Ramës. TikTok ishte e vetmja platformë e cila i prishte punë në planet për farsën elektorale të 11-Majit.

Një vit pas vendimit drastik të qeverisë për të mbyllur TikTok-un në Shqipëri, duke u fshehur pas fatkeqësisë së vrasjes së Martin Canit në vitin 2014, dhuna mes adoleshentëve jo vetëm që nuk është ulur, por vazhdon të prodhojë viktima. Edhe vrasja e Canit nuk kishte lidhje as me TikTok, as me rrjetet tjera, dhe kjo e shton edhe më shumë përversitetin në mendjen djallëzore të një kryeministri autoritar, që përdor një fatkeqësi të rëndë për politikë dhe për çensurë.

Rasti më i fundit, ai i vrasjes së 14-vjeçarit Erald Xhejo nga bashkëmoshatari i tij Enedio Guri në fshatin Pirg të Maliqit më 14 gusht 2025, ka ngritur sërish pyetje të mëdha mbi arsyet reale të këtij fenomeni.

Pse u mbyll TikTok?

Kryeministri Edi Rama, në mars 2025, shpalli mbylljen 12-mujore të TikTok-ut duke e justifikuar si një masë urgjente për mbrojtjen e të rinjve nga “kultura e dhunës” që ushqehet nga kjo platformë. Vendimi u paraqit si një hap i guximshëm i qeverisë, madje, Rama deklaroi se na e kanë kërkuar familjarët dhe mësuesit, për të frenuar shkaqet e krimeve të rënda mes adoleshentëve.

Por të dhënat e muajve të fundit nxjerrin në pah një kontradiktë: edhe pas mbylljes së TikTok-ut, ngjarjet e dhunshme mes të miturve kanë vijuar me të njëjtin intensitet.

Në Gramsh (maj 2024), një 15-vjeçar u vra me thikë nga bashkëmoshatarët.
Në Shkozë, një 18-vjeçar u ekzekutua brutalisht pas një konflikti mes dy grupeve.
Në Pirg, Maliq (gusht 2025), një tjetër i mitur humbi jetën nga thika e një bashkëmoshatari.

Asnjë nga këto raste nuk lidhet drejtpërdrejt me përdorimin e TikTok-ut. Përkundrazi, shkaqet që përmenden nga hetimet janë konflikte banale, mungesë kontrolli familjar dhe kulturë e dhunës së rrënjosur thellë në realitetin social shqiptar.

Një vendim, qartësisht i motivuar politikisht

Ekspertë të pavarur të medias dhe shoqërisë civile e shohin mbylljen e TikTok-ut si një lëvizje më shumë politike sesa shoqërore. Burime brenda qeverisë kanë pranuar se vendimi i Ramës ishte gjithashtu një reagim ndaj rritjes së pakontrolluar të kritikave dhe ironive ndaj tij dhe kabinetit qeveritar në këtë platformë, e cila po fitonte gjithnjë e më shumë ndikim te të rinjtë.

Në fakt, në muajt para mbylljes, TikTok ishte kthyer në një hapësirë ku mijëra të rinj ironizonin qeverinë, publikimet zyrtare dhe vetë kryeministrin. Ky element politik nuk u përmend kurrë zyrtarisht, por ishte shqetësimi real në prapaskenë i Ramës.

Dhuna e adoleshentëve, një problem më i thellë

Analistët theksojnë se përqendrimi i fajit vetëm te një platformë digjitale është një thjeshtëzim i rrezikshëm i fenomenit. Sociologët e lidhin rritjen e dhunës me faktorë të tillë si:

kriza e autoritetit prindëror,
mungesa e edukimit emocional dhe të konfliktit në shkolla,
modeli i dhunës që shfaqet në media dhe në jetën e përditshme,
papunësia dhe mungesa e perspektivës për të rinjtë.

Në këtë kuadër, vendimi për të mbyllur TikTok-un ishte qartësish një vendim censure për të mos patur asnjë hapsirë kundërshtie e demaskimi për pushtetin në prag të farsës elektoralë, sesa një zgjidhje reale për të frenuar dhunën mes adoleshentëve. Gjë për të cilën qeveria nuk është shqetësuar aspak këto 12 vitet e fundit. Rinia është duke u keqarsimuar, pa perspektivë dhe tensionet sociale sa vijnë dhe rriten.

Përfundim

Ngjarja tragjike e Pirgut dhe rastet e tjera të ngjashme tregojnë se mbyllja e TikTok-ut nuk ka pasur asnjë ndikim në uljen e dhunës tek të rinjtë. Përkundrazi, fenomeni vazhdon të rritet, duke vënë në pikëpyetje strategjitë e qeverisë dhe duke hapur debatin për përdorimin politik të masave të ashpra ndaj mediave sociale.

Pyetja që mbetet është: a ishte vërtet TikTok burimi i së keqes, apo ishte thjesht një kurban politik për të mbuluar dështimet e tjera shoqërore dhe qeveritare?