Conference League/ Arbitrat shqiptarë do të gjykojnë dy takime të fazës ‘play-off’

UEFA Conference League ka arritur në fazën më kulminante, teksa të enjten do të luhen ndeshjet e para të “play-off”-it, ku skuadrat do të luftojnë për t’u kualifikuar në fazën e grupeve.

Në dy prej sfidave më të rëndësishme të kësaj jave do të vendosin drejtësi arbitrat shqiptarë.

Në takimin Başakşehir – U. Craiova, që do të luhet në stadiumin “Başakşehir Fatih Terim” në Stamboll, arbitër kryesor do të jetë Juxhin Xhaja.

Asistentë të tij janë caktuar Arbër Zalla dhe Rejdi Avdo, ndërsa arbitër i katërt do të jetë Olsid Ferataj.

Në dhomën e VAR-it do të jenë Kreshnik Bajramaj (VAR) dhe Olsion Yzeiraj (AVAR).

Kjo sfidë do të zhvillohet të enjten, më 21 gusht, në orën 19:45.

Ndërkohë, në ndeshjen tjetër të kësaj faze, Sparta Praga – Riga, arbitër kryesor është përzgjedhur Enea Jorgji.

Dy asistentët e tij do të jenë Denis Rexha dhe Ridiger Çokaj, ndërsa arbitër i katërt do të jetë Florian Lata.

Sistemi VAR do të drejtohet nga italiani Aleandro Di Paolo, i ndihmuar nga Albert Doda në rolin e AVAR-it.

Ndeshja do të luhet të enjten, më 21 gusht, në stadiumin “Letná” në Pragë, në orën 20:00.

Ky është një tjetër vlerësim për arbitrimin shqiptar, që vijon të jetë i pranishëm në ndeshje të rëndësishme të futbollit europian.