'Konflikti Ukrainë-Rusi nuk është lufta jonë', Rubio: Sanksionet e reja nuk do ta detyrojnë Putin të pranojë armëpushimin
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio tha të dielën se një marrëveshje e përkohshme armëpushimi midis Ukrainës dhe Rusisë nuk është jashtë diskutimit teksa theksoi se ky konflikt nuk është luftë e SHBA-ve.
Rubio në një intervistë në emisionin “Meet the Press” të NBC News theksoi se udhëheqësit amerikanë, ukrainas dhe rusë janë në një mendim se rezultati më i mirë është një marrëveshje paqeje që i jep fund luftës përgjithmonë.
“U ra dakord nga të gjithë se mënyra më e mirë për t’i dhënë fund këtij konflikti është përmes një marrëveshjeje të plotë paqeje”, tha Rubio. Sipas tij kjo është mënyra më e mirë për t’i dhënë fund luftës.
Komentet e Rubios vijnë disa ditë pasi presidenti Donald Trump u takua për disa orë me presidentin rus Vladimir Putin në Alaskë. Rubio ia hodhi fajin Putinit për mosveprimin drejt një armëpushimi, duke iu përgjigjur pyetjeve në lidhje me sulmet e vazhdueshme të Rusisë në Ukrainë gjatë ditëve të fundit.
“Ne mendojmë se zakonisht është shumë e vështirë të negociosh kur je në mes të armiqësive. Por, megjithatë, e vetmja mënyrë për të pasur një armëpushim është që të dyja palët të bien dakord të ndalojnë së qëlluari njëra-tjetrën... dhe rusët thjesht nuk kanë rënë dakord për këtë”, tha ai.
Rubio foli edhe rreth vendimit të administratës Trump për të mos vendosur sanksione të reja ndaj Rusisë, pavarësisht ngurrimit të Putinit për të ecur drejt një marrëveshjeje paqeje.
“Nëse nuk do të jemi në gjendje të arrijmë një marrëveshje këtu në asnjë moment, atëherë do të ketë pasoja, jo vetëm pasojat e vazhdimit të luftës, por edhe pasojat e vazhdimit të të gjitha atyre sanksioneve, dhe potencialisht edhe sanksione të reja përveç kësaj. Por ajo që po përpiqemi të bëjmë tani është t’i japim fund luftës”, tha Rubio.
Ai theksoi se nuk mendon se sanksionet e reja ndaj Rusisë do ta detyrojnë atë të pranojë armëpushimin. Rubio tha gjithashtu se vendimi për të vendosur sanksione të reja është i papajtueshëm me luftën për një marrëveshje paqeje të qëndrueshme.