Zelensky: SHBA duhet të garantojë sigurinë ajrore, tokësore dhe detare në Ukrainë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se SHBA duhet të ofrojë garanci sigurie në ajër, tokë dhe det, ndërsa po përgatitet për bisedime vendimtare me Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë të hënën.

Duke folur pas një takimi të ashtuquajturës “Koalicioni i të Vullnetshmëve”, Zelensky theksoi se garancitë e sigurisë “duhet të jenë praktikisht shumë konkrete dhe të ofrojnë mbrojtje në tokë, në ajër dhe në det.”

Sipas raportimeve, SHBA ka ofruar një garanci të ngjashme me mbrojtjen kolektive të NATO-s, të cilën i dërguari i posaçëm Steve Ëitkoff e cilësoi si thelbësore, “ndryshim loje”.

Neni 5 i NATO-s përcakton se një sulm i armatosur ndaj një ose më shumë anëtarëve të saj konsiderohet si sulm ndaj të gjithëve. Ukraina do të mund të përfitonte nga një garanci e ngjashme pa qenë anëtare zyrtare e Aleancës.

Duke falenderuar Shtetet e Bashkuara, Zelensky tha se detajet e kësaj garancie mbeten të paqarta

"Është e rëndësishme që Amerika të bjerë dakord të punojë me Evropën për të ofruar garanci sigurie për Ukrainën”, ka thënë ai. "Por nuk ka detaje se si do të funksionojë, dhe cili do të jetë roli i Amerikës, cili do të jetë roli i Evropës dhe çfarë mund të bëjë BE-ja, dhe kjo është detyra jonë kryesore, ne kemi nevojë për siguri që të funksionojë në praktikë si Neni 5 i NATO-s, dhe ne e konsiderojmë pranimin në BE si pjesë të garancive të sigurisë”, është shprehur ai.

Zelensky shtoi gjithashtu në një konferencë për shtyp se çështje kyçe si territori duhet të diskutohen në një format trepalësh: Ukrainë, SHBA dhe Rusi.

Propozimi i Trump u vlerësua dhe nga liderë të BE-së, si kryeministri britanik, Sir Keir Starmer

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duke folur në një konferencë shtypi në Bruksel me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky tha se “mirëpresin gatishmërinë e presidentit Trump për të kontribuar në garancitë e sigurisë të ngjashme me Nenin 5 për Ukrainën dhe se “Koalicioni i të vullnetshmëve” - përfshirë Bashkimin Evropian - është gati të bëjë pjesën e vet.

I dërguari i posaçëm, Witkoff duke konfirmuar sot gjatë ditës se Vladimir Putin kishte pranuar këtë garanci gjatë bisedimeve në Alaskë, duke shtuar se ishte “hera e parë që dëgjonim rusët të pajtoheshin me diçka të tillë.”

Putin ende nuk ka pranuar publikisht bisedime të tilla, megjithatë Axios kishte raportuar më herët se Trump është i interesuar të takohet me liderët e Ukrainës dhe Rusisë më herët se 22 gushti.