Peruggia, arrestohet 20-vjeçari shqiptar me drogë në makinë
Një i ri shqiptar 20-vjeçar është arrestuar nga karabinierët e Peruggias me akuzën e mbajtjes dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Gjatë kontrolleve të intensifikuara për fundjavën e Ferragostos, i riu u ndalua në zonën San Sisto, ndërsa po udhëtonte me një automjet që kishte në përdorim. Sipas autoriteteve, ai shfaqi shenja të dukshme nervozizmi, gjë që çoi në një kontroll personal dhe të automjetit.
Gjatë kontrollit, forcat e rendit zbuluan dhe sekuestruan 7 doza kokaine, me një peshë totale prej rreth 6 gramësh.
I riu u shoqërua në stacionin e karabinierëve në Via Ruggia, ku iu komunikua arrestimi. Ai u dërgua menjëherë para gjykatës së Peruggias me procedurë të përshpejtuar, ku u konfirmua masa e arrestit.
Ky operacion bën pjesë në aksionet e vazhdueshme të karabinierëve për frenimin e shpërndarjes së lëndëve narkotike në territor, veçanërisht gjatë periudhave festive, siç është edhe fundjava e Ferragostos.