'Lufta vazhdon, liria s'është larg!' Zemërimi kundër Vuçiç s'ndalet, edhe sot në mbrëmje protesta në mbarë Serbinë
Protestat nuk ndalen në Serbi. Mediat serbe shkruajnë se studentëve dhe qytetarëve u është bërë thirrje të mblidhen sot në mbrëmje në sheshet e disa qyteteve të Serbisë, duke hyrë kështu në ditën e pestë të protestave. Deri tani janë shpallur koha dhe vendi i tubimit për Novi Sad, Niš, Kruševac dhe Leskovac.
Në Novi Sadi thirrjet janë bërë për një protestë sonte në orën 20:00 para Rektoratit, duke shkruar në rrjetin social Instagram: “Sonte po nxjerrim mbeturinat që janë lënë deri në fund.”
Ata mendojnë se mund të na trembin, por çdo arrestim sjell liri të re, dhe çdo sulm i policisë forcon edhe më shumë vendosmërinë tonë! Ne jemi populli dhe jemi kudo. Ata janë pak dhe fshihen në errësirë. Novi Sadi merr frymë përsëri sonte. Lufta vazhdon, liria nuk vonohet. Sonte pastrojmë sërish,” shkruhet në postim
Në Niš, studentët thirrën për një tubim në orën 21:00 te Crveni pevac
Në orën 20:00, protesta do të mbahen gjithashtu në Leskovac, Kruševac, Inđija dhe Kikinda, shkruan media serbe, Danas.rs
Për kujtesë, studentët dhe qytetarët po protestojnë prej katër ditësh në mbarë Serbinë.
Protestat e fundit janë nxitur nga disa incidente në qyteza të Vojvodinës, më 12 gusht, kur mbështetësit qeveritarë i kanë sulmuar protestuesit me fishekzjarrë.
Situata është përshkallëzuar edhe nga veprimet e zyrtarëve policorë atë ditë, të cilët protestuesit i kanë akuzuar se nuk kanë bërë asgjë për t’i parandaluar sulmet.
Policia në anën tjetër, i ka hedhur poshtë këto akuza, dhe ka thënë se ajo i ka parandaluar disa trazira të mëdha.
Lexo dhe: Vuçiç: Nuk po e shqyrtojmë shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme
Si reagoi Vuçiç
Në adresimin e tij të dielën (17 gusht) , Vuçiç ka thënë se është duke u përgatitur “një reagim shtetëror zyrtar dhe ligjor” dhe që “gjithçka do të përdoret për ta rikthyer paqen dhe rendin”.
“Kë do ta vrasin sonte, çfarë do të djegin sonte, kjo nuk do të zgjasë përgjithmonë”, ka thënë ai, duke shtuar se 137 zyrtarë policorë janë plagosur gjatë protestave të ditëve të fundit.
Ai ka thënë se ka vendosur për përgjigjen shtetërore, pas “ngjarjeve të tmerrshme në Valljevë dhe më pak të tmerrshme në Beograd”, më 16 gusht.
Natën e mbrëmshme është shënuar nata e katërt e protestave dhe situata më e vështirë është regjistruar në Valljevë dhe Beograd.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë të dielën se ekipi i tij nuk është duke e shqyrtuar mundësinë e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, si përgjigje shtetërore ndaj protestave ditore kundër pushtetit.
Kush i organizon?
Protestat po zhvillohen në Serbi për më shumë se nëntë muaj, pas aksidentit në Novi Sad, në nëntor të vitit të kaluar, si pasojë e të cilit janë vrarë 16 persona, si pasojë e rrëzimit të një strehe betoni në stacionin e rinovuar hekurudhor.
Protestat janë organizuar në rrjete sociale, dhe udhëhiqen nga grupet që e identifikojnë veten si organizata të studentëve.
Pikënisje për protesta e kanë pasur kërkesën për përgjegjësi politike dhe penale për tragjedinë në Novi Sad.
Më vonë, ata kanë bërë thirrje për veprim kundër korrupsionit, si dhe kanë kërkuar zgjedhje të parakohshme parlamentare – kërkesë që është refuzuar nga Qeveria.