Ndahet nga jeta ‘armiku’ i Superman-it në moshën 87-vjeçare
Një lajm i trishtë vjen nga industria e kinemasë këtë të diel. Terence Stamp, i njohur për rolin e tij si armiku kryesor, Gjeneral Zod, në filmat “Superman” dhe “Superman II”, ka ndërruar jetë në mëngjesin e sotëm, sipas njoftimit të bërë nga familja për Reuters.
Kush ishte Terence Stamp
Terence Stamp lindi në vitin 1938 në East End të Londrës dhe përjetoi bombardimet e qytetit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai studioi fillimisht reklamim dhe më pas mori një bursë për të studiuar art dramatik.
Stamp u bë i njohur për fizikun dhe stilin e tij unik. Ai pati lidhje sentimentale me aktoren Julie Christie, me të cilën luajti në filmin “Far from the Madding Crowd” (1967), dhe më vonë me modelen Jean Shrimpton.
Në fund të viteve ’60, Stamp u shfaq në disa filma italianë dhe punoi me regjisorin Federico Fellini. Ai studioi yoga në Indi, përpara se të fitonte famën ndërkombëtare me rolin e tij më të madh, atë të Gjeneral Zod, liderit të kriptonianëve në “Superman” (1978) dhe “Superman II” (1980).
Përveç këtyre filmave, ai luajti edhe në “Teorema” të Pier Paolo Pasolini (1968), “Une saison en enfer” (1971), “The Adventures of Priscilla, Queen of the Desert” (1994), “Valkyrie” me Tom Cruise (2008) dhe “The Adjustment Bureau” me Matt Damon (2011), ndër të tjera.
Reagimi i familjes
Familja e Terence Stamp njoftoi për Reuters:
“Ai lë pas një krijimtari të jashtëzakonshme, si aktor ashtu edhe si shkrimtar, që do të vazhdojë të preki dhe të frymëzojë njerëzit për shumë vite. Kërkojmë privatësi në këtë moment të trishtë.”
Vdekja e tij ka shkaktuar tronditje në gjithë komunitetin kinematografik, duke lënë pas një trashëgimi unike që do të kujtohet për breza.