Pamje nga brenda syrit të uraganit Erin, cikloni i kategorisë 5 që po trondit Atlantikun

Stuhia tropikale Erin është shndërruar brenda një nate në një nga uraganët më të fuqishëm të viteve të fundit, duke arritur kategorinë 5 me erëra deri në 260 km/orë. Drejtori i Qendrës Kombëtare të Uraganeve në SHBA, Mike Brennan, e përshkroi si një stuhi “jashtëzakonisht të fuqishme”, e cila u intensifikua me shpejtësi të rrallë në historinë e Atlantikut. Pamje dramatike tregojnë avionët e gjuetarëve të stuhive duke hyrë në syrin e uraganit për të marrë të dhëna mbi zhvillimin e tij.

Aktualisht duke kaluar mbi Karaibe, Erin pritet të kalojë në veri të Ishujve Leeward, Ishujve Virgjër dhe Porto Rikos gjatë fundjavës, duke sjellë reshje deri në 15 cm, rrezik për përmbytje dhe rrëshqitje balte. Ndërkohë, përgjatë bregut lindor të SHBA-së parashikohen dallgë të larta dhe rryma të rrezikshme, me Florida-n dhe shtetet e Atlantikut të Mesëm që do të ndjejnë më shumë ndikimin. Bermudat gjithashtu mund të përballen me reshje të rrëmbyeshme dhe valë kërcënuese për jetën.

Roja Bregdetare amerikane ka kufizuar lëvizjen e anijeve në portet e Ishujve Virgjër dhe në San Juan të Porto Rikos. Projeksionet meteorologjike tregojnë se uragani do të kalojë pranë Porto Rikos të dielën dhe më pas drejt Bahamas deri të hënën mbrëma, përpara se të kthehet drejt verilindjes së Atlantikut.

Sipas Administratës Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike (NOAA), sezoni i këtij viti pritet të jetë “mbi normalen”, me më shumë stuhi të kategorisë së katërt dhe të pestë, të nxitura nga ngrohja globale. Erin është uragani i parë i fuqishëm i sezonit 2025 dhe shihet si një paralajmërim serioz për rreziqet gjithnjë e më të mëdha klimatike.

https://youtube.com/shorts/eFucrRIqPMg?si=Ly5FESFTcto0-zHD