'Dua të heq të gjitha tatuazhet'/ Këngëtarja e njohur: Kanceri më bëri të kuptoja se ‘jeta është shumë e shkurtër’
Këngëtarja britanike Jessie J ka zbuluar se diagnoza me kancer të gjirit ka ndryshuar rrënjësisht mënyrën se si e sheh jetën, duke e shtyrë të ndjekë ëndrrat dhe projektet që kishte lënë pezull për vite.
Artistja 37-vjeçare iu nënshtrua në qershor një mastektomie të plotë, pas zbulimit të sëmundjes në fazë të hershme, dhe aktualisht ndodhet në proces rikuperimi, raporton DailyMail. Në një video të publikuar në Instagram, ajo ndau disa nga synimet e reja: të shkruajë libra, të bëjë një album për fëmijë, të heqë tatuazhet, të shkojë me familjen në pushime, të mësojë të ngasë biçikletën dhe të gjejë trajtimin e duhur për ADHD dhe OCD.
Jessie J theksoi se përvoja me kancerin i dha shtysën për të realizuar këto dëshira: “Kur kalon nëpër diçka të tillë, njerëzit thonë ‘je ndryshuar’. Por këto mendime i kam pasur gjithmonë. Thjesht kanceri të bën të veprosh, sepse kupton se jeta është e shkurtër. Dhe unë dua t’i bëj tani”.
Këngëtarja rrëfeu edhe momentet e vështira pas operacionit, duke përfshirë lotët kur pa plagët e saj dhe mbështetjen e nënës gjatë rikuperimit. Mjekët i kishin thënë se falë zbulimit të hershëm nuk do t’i duhej as radioterapi apo kimioterapi, por madhësia e tumorit e detyroi të kryente mastektominë e plotë.
Edhe pse e pret një ndërhyrje tjetër kirurgjikale për të përmirësuar simetrinë e implantit, Jessie J është e vendosur të rikthehet fuqishëm në muzikë, me këngën e saj të re “Believe In Magic”, që do të publikohet më 29 gusht. Ajo foli gjithashtu për djalin e saj dyvjeçar, Sky, të cilin e quajti “drita e jetës” gjatë gjithë betejës me sëmundjen.
Në një postim të gjatë në Instagram, artistja theksoi se nuk do të lejojë që problemet shëndetësore ta ndalojnë si nënë dhe artiste: “Mund të pushoj, të kujdesem për djalin dhe të publikoj muzikë të re… Po rris një fëmijë të vogël – mund ta bëj. Po sjell muzikë të re – mund ta bëj”.
Jessie përfundoi me mesazhin se jeta ka ulje-ngritje dhe duhet të vazhdohet me guxim: “Kështu jam unë sot – duke jetuar – dhe dua që ju të keni muzikën time. Pranuar?”