Samiti i Alaskës nuk ishte një 'Munih i ri', por mund të jetë një 'Jaltë e re'
Nga Maksimilian Hess
Këto ditë, ushtria ruse e ka të vështirë të shënojë ndonjë sukses të madh. Ushtarët e saj përballen me një mund të madh në Ukrainë, duke vdekur me qindra, ndonjëherë për të përparuar vetëm disa qindra metra ose aspak.
Megjithatë, në frontin diplomatik, situata është e ndryshme. Presidenti rus Vladimir Putin siguroi një fitore të madhe diplomatike, duke mbajtur një samit me Presidentin e Shteteve të Bashkuara Donald Trump.
Në Bazën e Përbashkët Elmendorf-Richardson në Alaska, gjithçka ishte shumë miqësore. Trump duartrokiti, ndërsa Putini u ngjit në tapetin e kuq për një shtrëngim duarsh, përpara se Trump ta shoqëronte në limuzinën e tij presidenciale, ndërsa udhëheqësi rus buzëqeshi si një mace Cheshire. Të dy u larguan nga takimi i tyre gati tre-orësh thënë shumëçka. Të dy folën për marrëveshje mbi një sërë çështjesh. Putin e ftoi Trumpin në Moskë, i cili ngurroi - për momentin.
Deri më tani, pak informacion është zbuluar se çfarë diskutuan saktësisht Putin dhe Trump. Udhëheqësi rus u përpoq të sugjeronte në deklaratat e tij për median se bisedimet ishin sipas kushteve të tij, duke ngritur shqetësimet e sigurisë së Rusisë dhe duke lavdëruar homologun e tij amerikan për përpjekjen për të “kuptuar historinë” e konfliktit.
Sipas ambasadorit të Rusisë në SHBA, Alexander Darchiev, përveç Ukrainës, u diskutuan disa çështje konkrete dypalëshe. Ai pretendoi se u ngritën dy çështje të mëdha diplomatike: “kthimi i gjashtë pronave diplomatike ruse që u konfiskuan de facto” gjatë administratës së ish-Presidentit të SHBA-së, Joe Biden dhe “rivendosja e trafikut të drejtpërdrejtë ajror” midis Rusisë dhe SHBA-së.
Trump, nga ana e tij, duket se hoqi dorë nga kërkesa për armëpushim në Ukrainë - diçka që ai e kishte kërkuar publikisht para samitit. Në vend të kësaj, ai pranoi të merrte përsipër kërkesën e Kremlinit për një zgjidhje të plotë të konfliktit, në vend të një armëpushimi për Ukrainën dhe aleatët e saj evropianë. Më vonë, ai postoi në platformën e tij të mediave sociale, Truth Social, se Bashkimi Evropian dhe Ukraina ranë dakord me të se, "mënyra më e mirë për t'i dhënë fund luftës së tmerrshme midis Rusisë dhe Ukrainës është të shkohet direkt në një Marrëveshje Paqeje".
Edhe pse Trump dukej se mbante qëndrimin rus për një armëpushim, rezultati më i keq i mundshëm i samitit u shmang përsëri. Takimi nuk u shndërrua në një "Munih të ri", ku Trump do ta qetësonte Putinin, ashtu siç udhëheqësit francezë dhe britanikë qetësuan Adolf Hitlerin në një takim në qytetin gjerman në vitin 1938, duke rënë dakord për një pushtim gjerman të një pjese të Çekosllovakisë. Presidenti amerikan nuk pranoi pretendimet territoriale ruse.
Megjithatë, për Putin, samiti ishte një fitore taktike sepse i tregoi botës se vetë presidenti amerikan po hiqte dorë nga statusi i të përjashtuarit, që Kremlini kishte fituar për pushtimin e njëanshëm të Ukrainës në vitin 2022 dhe krimet e luftës që pasuan. Presidenti rus u trajtua si udhëheqësi i një "fuqie të madhe" - një status që ai ka qenë prej kohësh i fiksuar ta kthejë Rusinë - me të cilin duhej të negociohej, sipas kushteve të tij.
Pra, ku e lë e gjithë kjo Ukrainën dhe aleatët e saj evropianë?
Trump është qartësisht i pavullnetshëm të ndryshojë qëndrimin e tij ndaj Ukrainës. Ai e admiron jashtëzakonisht Putinin - personalitetin dhe stilin e tij qeverisës.
Por Brukseli, Londra dhe Kievi nuk mund të heqin dorë prej tij. E vërteta është se mbështetja e vazhdueshme e SHBA-së është e domosdoshme për Ukrainën që të ruajë mbrojtjen e saj. Evropa ka ndërmarrë hapa për të marrë përsipër më shumë barrën e financimit, që kur Trump u inaugurua për mandatin e tij të dytë, por aftësitë e saj ushtarake dhe zinxhirët e furnizimit të industrisë së mbrojtjes nuk mund t'i zëvendësojnë ato të SHBA-së në të ardhmen e afërt, edhe nëse ato i rrisin investimet në mënyrë eksponenciale.
Trump dëshiron paqe në emër dhe nuk i interesojnë detajet. Për Kievin, detajet janë vetë mbijetesa e tij, dhe për pjesën tjetër të Evropës, fati i Ukrainës formëson potencialin që ajo të mund të jetë objektivi i radhës i agresionit të Putinit në botën e tij të mundshme, të ribalancuar gjeopolitikisht.
Kjo nuk do të thotë se nuk ka asnjë mënyrë për ta kthyer Trumpin në anën tjetër. Po - Ukraina dhe Evropa mund të përdorin një ose dy faqe nga libri i strategjisë së Putinit në marrëdhëniet me presidentin e SHBA-së.
Trumpit i pëlqen qartë që egoja e tij të përkëdhelet, gjë që Putini e bëri vazhdimisht në deklaratat e tij për median, duke përsëritur, për shembull, pretendimin e Trump, se nëse ai do të kishte qenë president në vitin 2022, lufta në Ukrainë nuk do të kishte ndodhur.
Vazhdimi i angazhimit diplomatik është rruga përpara, ashtu si edhe përpjekja për të ndryshuar kornizën në të cilën Trump e sheh konfliktin ukrainas.
Presidenti amerikan interesohet më shumë për të ardhmen e eksporteve të energjisë amerikane, konkurrencën amerikane me Kinën, sfidën e saj ndaj dominimit ekonomik të SHBA-së dhe shfrytëzimin e Arktikut sesa për Ukrainën. Në fund të fundit, ishte zgjedhja e Trumpit që të organizonte takimin në Alaska, dhe obsesioni i tij me Groenlandën - kaq i çuditshëm për aleatët evropianë të SHBA-së - ka shumë më tepër kuptim në këtë kontekst.
Çelësi është të bindet presidenti amerikan se Rusia është një kërcënim për interesat e Uashingtonit në të gjitha këto çështje.
Një lehtësim i sanksioneve, mund të bëjë që projektet ruse të gazit natyror të lëngshëm (LNG) të vërshojnë në treg dhe të ulin çmimin e eksporteve të LNG-së amerikane. Putin e ka riformësuar ekonominë e Rusisë që të jetë e varur nga eksportet e mineraleve në Kinë, duke nxitur aftësinë e saj për të konkurruar ekonomikisht falë inputeve të lira. Putin gjithashtu është përpjekur vazhdimisht ta shtyjë Pekinin të jetë më i vendosur në konkurrencën ekonomike, duke i bërë thirrje asaj të heqë dorë nga dollari dhe të nxisë korniza të reja tregtare dhe financiare, që përjashtojnë SHBA-në. Dhe Rusia shpreson të dominojë Arktikun, duke zgjeruar flotën e saj arktike me akullthyes dhe nëndetëse të reja me energji bërthamore.
Për Putinin, lufta e tij në Ukrainë nuk ka qenë kurrë vetëm për vijat ndarëse në Donbas, apo padrejtësitë e pretenduara nga rënia e Bashkimit Sovjetik. Është një luftë për të riformësuar botën. Nga ana tjetër, Trump e sheh luftën si një shpërqendrim dhe një pengesë për përpjekjet e tij për të riformësuar botën.
Vetëm nëse Kievi dhe Perëndimi në përgjithësi e kuptojnë qasjen e Trumpit, mund ta bindin atë se çfarë është në lojë. Ata duhet të përqendrohen në mënyrën se si Putini dëmton interesat amerikane dhe në perceptimin e Trumpit për këtë. Nëse nuk arrijnë ta bëjnë këtë, ndërsa Alaska mund të ketë provuar të mos jetë një "Munih i ri", trashëgimia e saj mund të jetë ajo e një "Jalte të re", në të cilën e ardhmja e Evropës do të formësohet nga sfera të reja ekskluzive të ndikimit të vizatuara nga Moska dhe Uashingtoni./ Al Jazeera.