Arrestohet shqiptari, bëri për spital gruan. Dhuna vazhdonte prej vitesh
Një 32-vjeçar me origjinë shqiptare, banues në Brugherio, është arrestuar në flagrancë nga Karabinierët e Komandës Provinciale të Monzas, Itali, pasi u kap duke ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.
Rreth orës 13:00 të së martës, një telefonatë urgjente në numrin 112 solli ndërhyrjen e menjëhershme të forcave të rendit për një rast dhune në familje.
Kur karabinierët mbërritën në vendngjarje, në derën e banesës u përballën me një burrë në gjendje të rënduar emocionale dhe të dehur, i cili po ofendonte verbalisht gruan e tij, e cila ishte në lot dhe me shenja të dukshme dhune në trup. Ambientet e shtëpisë ishin të çrregulluara, me objekte të përmbysura, shenjë e një konflikti të ashpër fizik.
Pavarësisht pranisë së policisë, 32-vjeçari nuk ndaloi sjelljen agresive dhe vijoi me fyerje ndaj bashkëshortes. Gruaja tregoi se ishte goditur me grushte dhe shqelma nga burri i saj, duke zbuluar se dhuna kishte qenë e vazhdueshme ndër vite dhe se burri e justifikonte sjelljen e tij me xhelozi.
Viktima u dërgua menjëherë në spitalin e Monzas, ku iu ofrua ndihma mjekësore. Mjekët konstatuan dëmtime fizike të cilat kërkojnë një periudhë rikuperimi prej 30 ditësh. Nga ana tjetër, agresori u arrestua dhe, pas procedurave përkatëse ligjore, me urdhër të Prokurorisë së Monzës, u shoqërua në Burgun e Monzës.