Studimi i MIT zbulon pse energjia diellore është bërë më e lirë se kurrë

Çmimi i paneleve diellore ka rënë me mbi 99 për qind që nga vitet 1970, duke e kthyer një teknologji dikur të kushtueshme në një burim energjie të përdorur masivisht nga miliona shtëpi në mbarë botën.

Një studim i ri i MIT, i publikuar në PLOS ONE, ka zbuluar arsyet kryesore që qëndrojnë pas këtij transformimi historik, duke nxjerrë në pah një rrjet kompleks përparimesh që shkojnë përtej vetë teknologjisë.

Sipas studiuesve, ulja drastike e çmimeve nuk lidhet vetëm me prodhimin e paneleve, por edhe me zhvillimet në politika, softuerë dhe procese më efikase instalimi. Janë identifikuar plot 81 inovacione, që nga teknikat e reja të prerjes së silikonit deri te procedurat më të shpejta të lejeve, të cilat kanë çuar drejt reduktimit të ndjeshëm të kostove. Inovacionet nuk erdhën vetëm nga fusha e energjisë, por edhe nga gjysmëpërçuesit, përpunimi i metaleve dhe madje reformat ligjore.

Ekspertët theksojnë se kombinimi i përmirësimeve graduale me ekonomitë e shkallës ka qenë çelësi për ta bërë energjinë diellore formën më të lirë të energjisë elektrike në histori, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë. Vetëm në vitin e kaluar, investimet globale në burimet e rinovueshme kapën shifrën e 1.7 trilion eurove, duke tejkaluar ndjeshëm shpenzimet për lëndët djegëse fosile.

Në Evropë, qershori shënoi një moment historik, pasi për herë të parë energjia diellore gjeneroi më shumë energji elektrike sesa çdo burim tjetër në Bashkimin Europian. Kjo tregon qartë se teknologjia është futur në një fazë të re zhvillimi dhe po e udhëheq zhvendosjen drejt një ekonomie të pastër energjetike.

Megjithatë, studiuesit paralajmërojnë se sfida të reja janë përpara, veçanërisht riciklimi i paneleve që dalin jashtë përdorimit pas dekadash shërbimi. Projekte të reja kërkimore po përpiqen të zhvillojnë metoda më të qëndrueshme për riciklim dhe ripërdorim, për të shmangur krijimin e mbetjeve të mëdha në të ardhmen.

Sipas autorëve të MIT, hapi tjetër i madh mund të vijë nga inteligjenca artificiale, robotika dhe modulariteti i teknologjive, të cilat mund të sjellin ulje të tjera të kostove dhe rritje të efikasitetit. Për këtë arsye, ata theksojnë se ruajtja e kushteve që mundësuan suksesin e deritanishëm të energjisë diellore është thelbësore për të siguruar që përparimet e ardhshme të jenë po aq të rëndësishme sa ato të shkuarat.