Kryeministri britanik/ Starmer: Trump na ka sjellë më afër se kurrë përfundimit të luftës në Ukrainë

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, ka deklaruar se “përpjekjet e Presidentit Trump na kanë sjellë më afër se kurrë më parë” përfundimit të luftës në Ukrainë.

Në një deklaratë, kryeministri britanik u shpreh se hapat e ardhshëm duhet të përfshijnë Zelenskyn dhe se paqja nuk mund të vendoset pa të.

Ja deklarata e tij e plotë:

Përpjekjet e Presidentit Trump na kanë sjellë më afër se kurrë më parë përfundimit të luftës së paligjshme të Rusisë në Ukrainë.

Lidershipi i tij në përpjekje për t’i dhënë fund vrasjeve duhet përgëzuar.

Ndërkohë që është bërë përparim, hapi tjetër duhet të jenë bisedimet e mëtejshme me pjesëmarrjen e Presidentit Zelenskyy. Rruga drejt paqes në Ukrainë nuk mund të vendoset pa të.

Këtë mëngjes, fola me Presidentin Zelenskyy, Presidentin Trump dhe partnerë të tjerë evropianë, dhe të gjithë jemi të gatshëm ta mbështesim këtë fazë tjetër.

Unë e mirëpres hapjen e Shteteve të Bashkuara, së bashku me Evropën, për t’i ofruar Ukrainës garanci të forta sigurie si pjesë e çdo marrëveshjeje. Ky është një përparim i rëndësishëm dhe do të jetë thelbësor në pengimin e Putinit.

Ndërkohë, derisa ai të ndalojë sulmin e tij barbar, ne do të vazhdojmë t’i shtrëngojmë “vidat” makinës së tij të luftës me edhe më shumë sanksione, të cilat tashmë kanë pasur një ndikim ndëshkues në ekonominë dhe popullin e Rusisë.

Mbështetja jonë e palëkundur për Ukrainën do të vazhdojë për aq kohë sa të jetë e nevojshme.