'Rrëmbimi i fëmijëve'/ Melania Trump i dërgoi letër Putin, iu dorëzua personalisht nga Trump

Donald Trump i dorëzoi personalisht Vladimir Putinit një letër nga bashkëshortja e tij, Melania Trump, në samitin në Alaska, e cila ngriti çështjen e gjendjes së vështirë të fëmijëve në Ukrainë dhe Rusi.

Zonja e parë, e cila ka lindur në Slloveni, nuk ishte në udhëtim, por zyrtarët thanë se letra e saj përmendte rrëmbimet e fëmijëve gjatë luftës.

Ekzistenca e letrës nuk ishte raportuar më parë. Rrëmbimi i fëmijëve ukrainas nga Rusia ka qenë një çështje thellësisht e ndjeshme për Ukrainën. Qeveria në Kiev vlerëson se të paktën 19,500 fëmijë ukrainas janë zhvendosur me forcë nga shtëpitë e tyre në Rusi dhe territoret e pushtuara nga Rusia që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë në shkurt 2022.

Çështja është jashtëzakonisht e ndjeshme në Ukrainë, ku shumë besojnë se nuk duhet të bëhet asnjë marrëveshje paqeje pa një marrëveshje për kthimin e të gjithë të rrëmbyerve. Në vitin 2023, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi një urdhër arresti për Putinin dhe komisioneren e tij për të drejtat e fëmijëve, Maria Lvova-Belova, për deportimin e dyshuar të paligjshëm të fëmijëve.