Liverpuli e nisi me fitore mbrojtjen e titullit në Angli

Liverpuli e ka nisur me një fitore këtë edicion në Premier Ligë, duke mundur Bornmuthin  me shifrat 4-2.

Por nuk ka qenë një fitore aq e thjeshtë për kampionët e Anglisë në fuqi, të cilët u desh të djersinin në fund për 3 pikët.

Hugo Ekitike e nisi në mënyrën e duhur sezonin e tij të parë në Premier Ligë, duke shënuar golin e avantazhit në pjesën e parë e duke dhënë asistin për golin e dytë të shënuar nga Gakpo në startin e të dytës.

Por në një ndeshje që dukej nën kontroll, miqtë bënë surprizën, duke shënuar dy herë me Semenajo, në minutat 64 dhe 76.

Liverpuli u hodh i tëri në sulm dhe ndihma i erdhi nga një emër i paparashikuar që do vishte mantelin e heroit.

Slot aktivizoi italianin Kieza dhe ky i fundit gjeti avantazhin në minutën e 88 të ndeshjes, për atë që ishte goli i tij i parë në kampionatin anglez.

Në shtesë erdhi edhe goli i Salah, që vulosi fitoren 4-2 të kampionëve në ndeshjen e parë.