A janë të kënaqur rusët nga takimi Trump - Putin? Vijnë reagimet e para

Delegacioni rus në Alaska është shprehur i kënaqur pas takimit mes presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin.

Në një video të shkurtër të publikuar në Telegram, Ministri i Mbrojtjes i Rusisë, Andrey Belousov, i pyetur nga agjencia shtetërore Tass për përshtypjet e tij pas samitit, u përgjigj shkurt: “Shkëlqyeshëm”, duke shoqëruar fjalën me një buzëqeshje.

Edhe Kirill Dmitriev, përgjegjës për negociatat me Shtetet e Bashkuara, e përshkroi takimin si “shumë të mirë” dhe tha se humori pas bisedimeve ishte “shkëlqyeshëm”.

Ndërkohë, ambasadori rus në SHBA, Alexander Darchiev, deklaroi se Moska është e gatshme të rifillojë trafikun ajror me SHBA-në, duke shtuar se dokumentet për këtë proces janë përgatitur dhe aktualisht janë në fazë diskutimi.

Ai theksoi se samiti Rusia–SHBA pritet të përshpejtojë normalizimin e marrëdhënieve diplomatike, përfshirë zgjidhjen e çështjes së pasurive ruse të konfiskuara, duke e përshkruar atmosferën e përgjithshme si “pozitive”.