Përfundon pas 3 orësh pjesa e parë e takimit Trump – Putin

Takimi Trump–Putin në Alaska përfundon pas 3 orësh: Negociata me dyer të mbyllura, pa Ukrainën në tryezë

Ka përfunduar pas tre orësh pjesa e parë e takimit mes presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin në bazën ushtarake Elmendorf-Richardson në Alaska. Lajmi u konfirmua fillimisht nga Kremlini.

Takimi u zhvillua me dyer të mbyllura dhe me përfaqësim të ngushtë nga të dyja palët. Në anën amerikane, përveç presidentit Trump, ishin të pranishëm sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe i dërguari special Steve Witkoff. Nga pala ruse morën pjesë ministri i Jashtëm Sergei Lavrov dhe këshilltari për politikën e jashtme Yuri Ushakov.

Takimi u pasua nga një konferencë e përbashkët për shtyp dhe do të vijojë me një drekë zyrtare me delegacione më të gjera nga të dy vendet.

Menjëherë pas nisjes së takimit, Shtëpia e Bardhë publikoi një fotografi të Trump dhe Putin duke buzëqeshur krah për krah, e shoqëruar me sloganin e samitit: “Duke kërkuar Paqen”. Një tjetër imazh i shpërndarë më pas tregonte dy liderët duke ecur mbi qilimin e kuq drejt limuzinës presidenciale amerikane “Bisha”, me mbishkrimin “Historike”.

Megjithëse takimi ishte prezantuar si një përpjekje për paqe në Evropën Lindore, mungesa e përfaqësimit ukrainas ra menjëherë në sy. As Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, dhe as ndonjë përfaqësues zyrtar i Ukrainës nuk ishin të pranishëm. Po ashtu, mungonte edhe i dërguari special i SHBA-së për Ukrainën, Keith Kellogg.

Kjo nuk është hera e parë që anëtarët kyç të këtyre delegacioneve përballen në tryezën e negociatave. Të njëjtët emra ishin të pranishëm në bisedimet për paqen në Arabinë Saudite në shkurt 2025 — por atëherë pa pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të Trump apo Putinit.

Prania e figurave si Lavrov dhe Ushakov, të dy të sanksionuar nga Perëndimi pas pushtimit të Ukrainës në vitin 2022, si dhe mungesa e transparencës mbi përmbajtjen e negociatave, pritet të nxisin debat politik dhe diplomatik në ditët në vijim.