Nga shtrëngimi i duarve e pyetjet e sikletshme të gazetarëve e deri tek reagimi i Zelenskyt, zhvillimet deri më tani në samitin mes gjigantëve botëror
Në Anchorage, Alaska, është duke u zhvilluar takimi historik midis Presidentit amerikan Donald Trump dhe Presidentit rus Vladimir Putin.
Pas një përshëndetjeje të ngrohtë dhe ndalimit për të bërë fotografi, të dy liderët kanë nisur bisedimet e tyre, të cilat kanë zgjatur rreth një orë deri tani, dhe pritet të shfaqen sërish vetëm gjatë konferencës së përbashkët për shtyp më vonë gjatë ditës.
Trump ka shtruar tapetin e kuq për Putinin. Të dy presidentët zbresin nga avionët e tyre respektivë dhe përshëndeten me një dorëzëngjes të ngrohtë mbi tapetin e kuq të shtruar në pistën ajrore. Trump duartrokiti ndërsa Putin afrohej, ndërsa më pas udhëtuan së bashku drejt vendtakimit në makinën presidenciale të Trump.
Takimi fillimisht nga një-në-një është shndërruar në një takim tre-në-tre. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, dhe emisari i posaçëm, Steve Witkoff, janë pranë Trump, ndërsa Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov dhe këshilltari për politikën e jashtme Yuri Ushakov janë pranë Putin.
Ky takim mund të zgjasë gjatë. Më herët gjatë ditës, Kremlini bëri me dije se takimi mund të zgjasë deri në gjashtë ose shtatë orë.
Putini është pritur edhe nga gazetarët që i drejtonin pyetje, duke i kërkuar: “Kur do të ndaloni vrasjen e civilëve?” dhe “Pse duhet Trump t’i besojë fjalëve tuaja?” Të dy liderët ende nuk kanë dhënë përgjigje ndaj pyetjeve të medias. Ndërkohë, pranë vendtakimit zhvillohen protesta në mbështetje të Ukrainës.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili nuk merr pjesë në bisedime, ka deklaruar se “po mbështetet tek Amerika” dhe se nuk ka asnjë shenjë që Rusia dëshiron të ndalojë luftën. Takimi në Alaska pritet të ketë pasoja të rëndësishme për stabilitetin dhe zhvillimet në rajonin e Europës dhe botës.