'Të papërgatitur për emergjencat'/ Balliu: Në kulmin e zjarreve në vend, qeveria vazhdon vjedhjen

Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, i ftuar në studion e SYRI TV, akuzoi qeverinë se po neglizhon menaxhimin e emergjencave dhe situatave të rënda në vend, ndërsa është e përfshirë në korrupsion dhe shpërdorim të fondeve publike.

Me thënë të drejtën s’e kam parë Ramën gjithë këto kohë, ka ikur në drejtim të paditur si shokët e vet. Sa herë që ndodh diçka me Shqipërinë, nga qeveria dëgjojmë vetëm justifikime,” deklaroi Balliu, duke theksuar se vendi gjendet gjithmonë i papërgatitur si në dimër, kur përballet me përmbytje, ashtu edhe në verë, kur përfshihet nga zjarret.

Sipas tij, prej të paktën katër vitesh është vërtetuar se Shqipëria ka një problem serioz me zjarret, por qeveria nuk ka marrë masa konkrete për t’i zgjidhur. Balliu akuzoi ekzekutivin se në vend të investimeve për pajisje dhe mjete, paratë e qytetarëve kalojnë në tendera korruptivë për miq, familjarë dhe drejtorë të afërt me pushtetin.

“Kur bëhet fjalë për problemet e qytetarëve, nuk ka lekë. Por për të blerë një tapet për Kuvendin shpenzohen 80 mijë euro dhe bëhet tender për këtë punë,” theksoi ai, duke shtuar se me një menaxhim të drejtë, fondet mund të përdoreshin për avionë dhe mjete moderne për shuarjen e zjarreve.

Balliu:

Me thënë të drejtën s’e kam parë Ramën gjithë këto kohë, ka ikur në drejtim të paditur si ata shokët e vet, sa herë që ndodh diçka me Shqipërinë, nga qeveria ne dëgjojmë vetëm justifikime.

Kur është dimër ka përmbytje, kur është verë ka zjarr, dhe në të gjitha rastet ne jemi të papërgatitur.

Kjo nuk vjen si një rastësi, aq më tepër për Shqipërinë që fare mirë, të paktën në 4 vitet e fundit është vërtetuar që ne kemi një problem me zjarrët.

Disa nga arsyet natyrore, disa nga shkaqe të tjera, nga zjarrvënie e raste të tilla, por që ne kemi një problem dhe normalisht që qeveria duhet të merrte masa se si t’i zgjidhnim, por këta janë shumë të zënë duke i vjedhur paratë.

Në kulmin e këtij problemi dje unë kam denoncuar sesi qeveria vazhdon vjedhjen sipas traditës pa u ndalur, me afera korruptive, nëpërmjet miqve të vet dhe familjarëve të vet, drejtorëve të vet, ku kalon tendera paratë e qytetarëve, ndërkohë që këto para mund të ishin përdorur për të blerë avionë. Ose sikur Balluku mos e lante një muaj makinën, me 10 mijë euro mund të blenim një pajisje më të mirë sesa një shkurre për të fikur zjarrin.

Në këtë aspekt është e rëndësishme për qytetarët të kuptojnë se kur bëhet fjalë për problemet e tyre, nuk ka lekë, kur bëhet fjalë për të fikur zjarrin që po u djeg shtëpitë, nuk ka lekë, kur bëhet fjalë për të ndihmuar shqiptarët nga përmbytjet nuk ka lekë, kur bëhet fjalë për të rritur rrogat nuk ka lekë, kur bëhet fjalë për të rritur pensionet, për të rritur kempin, nuk ka lekë, por kur bëhet fjalë për të blerë një tapet për Kuvendin, ne blejmë 80 mijë euro, dhe bëjmë tender për këtë punë.