Takimi me Putin/ Trump: Shkëmbimi territorial do të diskutohet, vendimi përfundimtar i takon Ukrainës! Do ta kuptoj për 5 minuta

Presidenti amerikan, i pyetur nga një gazetar nëse shkëmbimet territoriale janë në tryezë u shpreh se ato do të jenë në tryezën e diskutimeve, porse i takon Ukrainës fjala e fundit.

 “Ato do të diskutohen, por unë duhet ta lejoj Ukrainën ta marrë atë vendim dhe mendoj se ata do të marrin një vendim të duhur” tha Trump.

“Por unë nuk jam këtu për të negociuar për Ukrainën”, u shpreh Trump, duke shtuar se nëse ai nuk do të ishte president, Putini do ta merrte të gjithë Ukrainën, ndërsa theksoi se: “por ai nuk do ta bëjë këtë”.

Trump deklaroi se beson se Putin dëshiron të arrijë paqe në Ukrainë dhe se nëse nuk arrihet mirëkuptim, takimi mund të përfundojë brenda pak minutash.

“Do ta kuptojmë menjëherë pozicionin e secilit. Dhe unë do ta di brenda dy, tre, katër apo pesë minutave nëse do të kemi një takim të mirë apo jo. Nëse është një takim i keq, do të përfundojë shumë shpejt. Por nëse është i mirë, atëherë mund të arrijmë paqen shumë shpejt,”  tha Trump nga Shtëpia e Bardhë.

Një gazetar e pyeti më pas Trumpin, rreth mundësisë që SHBA-të të ofrojnë garanci sigurie për Ukrainën.

“Ndoshta”, përgjigjet Trump, “ka një “mundësi” së bashku me “Evropën dhe vendet e tjera”, por ai thotë se jo si pjesë e NATO-s.

I pyetur nëse do të diskutojnë mundësitë ekonomike, Trump përgjigjet "nëse bëjmë përparim".

Ai vëren se Vladimir Putin po sjell me vete ‘shumë njerëz të biznesit’nga Rusia, duke shtuar: “Më pëlqen kjo sepse ata duan të bëjnë biznes”.

«Por ne nuk do të bëjmë biznes, derisa të zgjidhet lufta», thotë ai. «Lufta duhet të ndalet dhe vrasjet duhet të ndalen».

Trump thotë se SHBA-të janë "vendi më i nxehtë" në botë, dhe Putini "dëshiron një pjesë të saj", sepse Rusia "nuk është e nxehtë ekonomikisht".

Ai thotë se Putini është një “djalë i zgjuar”, duke shtuar se ekziston një “nivel i mirë respekti nga të dyja palët”.

I pyetur në lidhje me sulmet e vazhdueshme të Rusisë ndaj Ukrainës, Trump thotë se Putin mendon se kjo “e ndihmon atë të bëjë një marrëveshje më të mirë”, por në realitet “në fakt kjo e dëmton atë”./ BBC.