SYRI TV/ IKMT nis prishjet në aksin Levan–Tepelenë, fermerët kërkojnë rrugë dytësore dhe shpronësime
SYRI TV
IKMT ka zhvilluar këtë të premte aksionin për prishjen e tendave të vendosura përgjatë autostradës Levan-Tepelenë, në zonën e Frakullës. Aksioni është kundërshtuar nga fermerët e zonës, të cilët shprehen se kjo është e vetmja mënyrë që ata të tregtojnë prodhimet e tyre, ndërsa kanë kërkuar ndërtimin e rrugëve dytësore në tokat e tyre bujqësore.
Forcat e IKMT-së, të mbështetura nga policia e Fierit, kanë nisur operacionin për prishjen e tendave të vendosura anës autostradës Levan–Tepelenë, në zonën e Frakullës. Disa prej fermerëve i larguan vetë strukturat, ndërsa të tjerë kundërshtuan, duke argumentuar se distanca nga rruga ishte mbi 10 apo 15 metra.
Fermerët thonë se nuk janë kundër vendimit, por kërkojnë nga qeveria ndërtimin e rrugëve dytësore dhe shpronësimin për tokat e marra gjatë ndërtimit të autostradës. Sipas tyre, mungesa e aksesit në të dy anët e rrugës e bën të pamundur transportimin dhe shitjen e prodhimeve, që shpesh u mbeten në fushë.
Kalimtarët dhe blerësit e rastit janë gjithashtu kundër prishjeve. Ata thonë se ndalojnë për të blerë produkte bio, me çmime më të ulëta se në treg.
IKMT bën me dije se prishjet u kryen pas dy javësh nga njoftimi për largimin e tendave, duke theksuar se në disa raste këto struktura janë kthyer në burim aksidentesh.