SYRI TV/ Festohet Pashka e Verës në Boboshticë e Myzeqe, Kryepeshkopi Joani lutje për shpëtim shpirtëror

SYRI TV

Në Boboshticë dhe Myzeqe, besimtarët ortodoksë kremtuan Fjetjen e Shën Marisë me liturgji të drejtuara nga Kryepeshkopi Joani dhe Mitropoliti ASTI. Ceremonitë, ku morën pjesë qindra besimtarë, u mbyllën mes këngëve kishtare, urimeve për paqe e begati dhe lutjeve për harmoni në çdo familje.

Në fshatin Boboshticë, besimtarët ortodoksë u mblodhën për të marrë pjesë në Liturgjinë Hyjnore me rastin e festës së Fjetjes së Shën Marisë, e njohur ndryshe si “Pashka e Verës”. Kjo ditë, që shënon përkujtimin e ndarjes nga jeta të Nënës së Zotit, është ndër më të rëndësishmet në kalendarin kishtar dhe përshkohet nga një frymë gëzimi, pasi, sipas besimit të krishterë, Krishti e mundi vdekjen dhe i hapi njeriut rrugën drejt shpëtimit të përjetshëm.

Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Imzot Joani, kryesoi shërbesën liturgjike, duke kujtuar virtytet dhe jetën shembullore të Tërëshenjës Hyjlindëse. Në fjalën e tij, ai theksoi rëndësinë e ruajtjes dhe zbatimit të fjalës së Zotit në jetën e përditshme, si dhe nevojën për lutje të përulëta për mbrojtje dhe shpëtim shpirtëror.

Edhe në Myzeqe, besimtarë të krishterë u mblodhën në Kishën e Shën Marisë në Rrupaj për të kremtuar Pashkën e Verës. Meshën e shenjtë e drejtoi Mitropoliti i Beratit dhe i gjithë Myzeqesë, ASTI, i shoqëruar nga drejtues të kishave ortodokse të zonës. Qindra besimtarë morën pjesë në liturgjinë e zhvilluar për të marrë bekimet e Zotit. Në fjalën e tij, Mitropoliti ASTI uroi të pranishmit për paqe, begati, lumturi dhe dashuri ndaj njëri-tjetrit.

Kremtimet në të dy vendet u mbyllën mes këngëve kishtare dhe lutjeve për mirësi e harmoni në çdo familje.