Gjuha e parë artificiale në botë ‘shijon e mëson’ si një organ i vërtetë njerëzor

Shkencëtarët kanë krijuar gjuhën e parë artificiale që mund të ndiejë e të identifikojë shijet plotësisht, duke imituar funksionin e puprrive njerëzore. Studimi, i botuar me 15 korrik në PNAS, hap mundësi për sisteme të automatizuara të sigurisë ushqimore dhe zbulim të hershëm të sëmundjeve përmes analizës kimike, si dhe për zhvillimin e kompjuterëve neuromorfikë që imitojnë mënyrën e të mësuarit të trurit.

Pajisja është ndërtuar nga membrana të oksidit të grafenit, fletë ultra të holla karboni që veprojnë si filtra molekularë për jone, duke ngadalësuar lëvizjen e tyre dhe duke i lejuar sistemit të identifikojë e të “mbajë mend” shijet. Në testime, ajo dalloi katër shijet bazë (të ëmbël, të thartë, të kripur dhe të hidhur) me 72,5–87,5% saktësi dhe 96% për pije me profile komplekse si kafe dhe Coca-Cola. Kjo është hera e parë që ndjesia dhe përpunimi i informacionit kombinohen në një sistem të vetëm të lëngshëm.

Ndryshe nga sistemet e mëparshme, që përpunonin të dhënat në kompjuterë të jashtëm, kjo gjuhë artificiale kryen ndjesinë dhe një pjesë të madhe të përpunimit në vetë lëngun, duke ruajtur gjendjen natyrale jonike të shijeve. Përdorimi i membranave të grafenit lejon funksionimin e përbërësve elektronikë në mjedis të lëngshëm, gjë e pamundur më parë.

Funksionimi bazohet në tretjen e përbërjeve kimike në lëng, ndarjen e tyre në jone dhe kalimin përmes kanaleve mikroskopike në membranë. Këto krijojnë modele unike që përfaqësojnë shijen, të cilat sistemi i mëson dhe i mban mend deri në 140 sekonda. Ngadalësimi i lëvizjes së joneve 500 herë më shumë se normalja i jep kohë pajisjes për të formuar “kujtesë shijeje”. Me çdo përdorim, sistemi bëhet më i saktë në dallimin e shijeve të ngjashme.

Rezultatet krahasohen me studime të mëparshme që përdornin rrjete nervore tradicionale për analiza të ngjashme, por këtu vetë pajisja kryen një pjesë të llogaritjes. Ajo mund të dallojë në mënyrë të besueshme shije komplekse dhe përzierje, në nivel të krahasueshëm me sistemet e avancuara të inteligjencës artificiale.

Aplikimet e mundshme përfshijnë diagnostikimin e hershëm të sëmundjeve përmes analizës së shijes, monitorimin e efekteve të ilaçeve, ndihmën për personat që kanë humbur shijen, si dhe testimin e sigurisë ushqimore dhe cilësisë së pijeve. Pajisja mund të shërbejë edhe në monitorimin e mjedisit, duke identifikuar shije specifike në mostra uji.

Megjithatë, sfida të tilla si madhësia e pajisjes, ndjeshmëria e kufizuar dhe konsumi i lartë i energjisë mbeten për t’u zgjidhur. Studiuesit besojnë se brenda dekadës së ardhshme, me përmirësimin e efikasitetit dhe miniaturizimin, teknologjia mund të transformojë fushat e mjekësisë, robotikës dhe monitorimit mjedisor. / Live Science - Syri.net