Putini duhet të ketë kujdes se çfarë dëshiron

Nga Hanna Notte/

Presidentit Vladimir Putin mund t'i falet nëse mendon se mandati i dytë i administratës Trump është një bekim për Rusinë.

Vetëm në pak muaj, presidenti Trump ka arritur të acarojë aleatët me valën e tarifave doganore dhe me deklaratat e tij të paqarta për NATO-n, një organizatë që Putin e ka quajtur një “anakronizëm”. Administrata e tij ka çmontuar ndihmën e huaj dhe ka shpallur luftë ndaj “ideologjisë gjinore”, duke i afruar më shumë Shtetet e Bashkuara me politikat jo-liberale të vetë Rusisë. Dhe, duke kërcënuar se do të marrë Kanadanë, Grenlandën dhe Kanalin e Panamasë, Trump është dukur se po i jep dritën jeshile irredentizmit që Putini do të argumentonte se justifikon forcën me të cilën Rusia ka goditur Ukrainën për më shumë se tre vjet.

Sa i përket Ukrainës, e vetmja gjë e qëndrueshme tek Trump-ika qenë mospërputhshmëria. Ai ka fajësuar Volodymyr Zelensky-n, presidentin e Ukrainës, për fillimin e luftës, Putininpër zgjatjen e saj. Dhe ka ndryshuar qëndrim për mbështetjen me armë të SHBA-së, duke e bërë më të vështirë për Ukrainën të planifikojë me siguri.

Tani, një Trump i paduruar, i fiksuar pas marrjes së lavdisë si paqebërës, ka përshpejtuar një takim në Alaskë të premten, pa praninë e Ukrainës apo europianëve, një fitore diplomatike për Rusinë.

Por Putini duhet të ketë kujdes se çfarë dëshiron. Në botën që po riformësohet nga Trump-i, me rregulla që janë fluide, marrëdhënie të paqëndrueshme dhe ku fuqia e pastër është monedha kryesore, Rusia e Putinit, e kufizuar në burime dhe e ngërthyer në luftën në Ukrainë, do ta gjejë veten të papërgatitur për të ushtruar ndikim, cilido qoftë rezultati i samitit të së premtes.

Merrni për shembull tarifat. Rusia, e cila tashmë po përballet me një ngadalësim ekonomik, ka pak arsye të gëzohet për vendosjen nga Amerika të tarifave mbi importet nga më shumë se 90 vende. Një luftë tregtare e SHBA-së mund të ngadalësojë rritjen globale dhe të ulë kërkesën për eksportet e mallrave të Rusisë, duke e detyruar Kremlinin të shkurtojë shpenzimet joushtarake ose të shterojë rezervat e mbetura.

Por Putini ka një problem më të madh: Trump nuk ia ka dorëzuar Ukrainën. As nuk ka gjasa ta bëjë këtë në një samit të nxituar që përjashton aktorët kryesorë. Deri tani, ai nuk ka ulur as praninë ushtarake amerikane në Europë. Mund të duket se Trump, herë pas here, ka përqafuar idenë thukididiane se “të fortët bëjnë çfarë duhet bërë, të dobëtit pranojnë çfarë duhet pranuar," çka, në pamje të parë, duket se përmbush ëndrrën e hershme të Putinit që fuqitë e mëdha, ku ai e konsideron Rusinë, mund ta ndajnë botën në sfera ndikimi mbi kokat e vendeve më të vogla. Por lufta në Ukrainë, praktikisht, mbetet e pafitueshme sipas kushteve të Putinit, dhe Rusia, me kaq shumë burime të shteruara, po detyrohet të tërhiqet në fronte të tjera.

Përparimet e Rusisë në fushën e betejës vazhdojnë të jenë të ngadalta dhe me kosto të jashtëzakonshme për pushtuesin. Edhe sikur ushtria ruse të arrinte një tjetër përparim të madh, Putiniprapë nuk do ta realizonte synimin e tij të vërtetë: nënshtrimin e plotë të Ukrainës brenda orbitës ruse. Ukrainasit do t'i rezistojnë pushtimit dhe Europa nuk do ta braktisë Ukrainën në fatin e saj.

Dhe ndërsa Putini ushqen iluzionin e fitores totale, pesha e tij globale bie. Në shtator 2023, paqeruajtësit rusë kryesisht qëndruan duarkryq teksa Azerbajxhani mori kontrollin e enklavës së kontestuar të Nagorno-Karabakut. Në dhjetorin e kaluar, ndërsa forcat rebele iu afruan Damaskut, kryeqytetit të Sirisë, Putin e braktisi diktatorin brutal të Sirisë, aleatin e tij të hershëm Bashar al-Assad, duke e lënë të bjerë. Në qershor, Rusia u vu në plan të dytë ndërsa sulmet ajrore izraelite dhe amerikane goditën objektet bërthamore dhe ushtarake të Iranit, duke i dënuar ato, por pa bërë asgjë në aspektin material për të ndihmuar.

Aftësia në rënie e Rusisë për t'u imponuar ka inkurajuar lojtarë të tjerë. Që presidenti Ilham Aliyev i Azerbajxhanit guxoi të kritikojë Putinin dhe ta implikojë Rusinë në rrëzimin e një avioni pasagjerësh, ose që Trump të presë një samit paqeje me liderët e Armenisë dhe Azerbajxhanit me bujë të madhe, duke e riemërtuar një korridor rajonal transporti si Rruga Trump për Paqe dhe Mirëqenie Ndërkombëtare, tregon se këto fuqi po veprojnë me një guxim të ri në një rajon që Rusia e konsideron sferën e saj të ndikimit. Dhe Rusia nuk mund të bëjë shumë për këtë. Lufta në Ukrainë, një qorrsokak me përmasa të mëdha, ka krijuar një sërë qorrsokakësh më të vegjël për politikën e jashtme të Rusisë, duke zbuluar kufizimet e saj dhe madje duke e detyruar ndonjëherë të tërhiqet.

Vendet pranë Rusisë, si Armenia, Gjeorgjia dhe Kazakistani, mbeten të cenueshme ndaj etjes së Putinit për dominim. Jo sepse Rusia do të dëshironte t’i pushtonte ushtarakisht, por sepse mosinteresimi i dukshëm i Trump-it për zhvillimet e brendshme të tyre (dhe përqendrimi i Europës te vetja) mund t’i bëjë ato më të ndjeshme ndaj presionit ekonomik, kulturor dhe politik të Rusisë me kalimin e kohës. Por Putini do të ketë kapacitet të kufizuar për të rritur presionin kudo, përveç nëse e mbyll luftën në Ukrainë. Dhe nuk ka asnjë shenjë që ai ka ndër mend ta bëjë këtë.

Putini ka këmbëngulur prej kohësh se Ukraina do të jetë e tija. Por në një botë të formësuar nga temperamenti i paparashikueshëm i Trump-it dhe parimi se “fuqia është e drejtë”, ky obsesion mund t’i kushtojë Rusisë më shumë nga ç'priste. / New York Times - Syri.net