Korçë/ Dhunohet futbollisti i skuadrës së Skënderbeut, policia jep versionin zyrtar. Arrestohen 2 persona, në hetim 3 të tjerë

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në lagjen nr. 16 të qytetit të Korçës, ku pas një konflikti fizik mes disa personave, ka mbetur i dëmtuar sulmuesi egjiptian i skuadrës së Skënderbeut, Saleh Salem.

Sipas Policisë së Korçës, janë arrestuar dy shtetas, Vangjel Jovani dhe Thanas Veshi, të dy 24 vjeç dhe banues në fshatin Polenë, të cilët dyshohet se kanë goditur disa herë në kokë futbollistin, duke i shkaktuar plagë të rënda.

Fatmirësisht, Salem ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe po merr ndihmën e nevojshme mjekësore.

Autorët janë identifikuar, ndërkohë që Policia ka proceduar penalisht edhe tre persona të tjerë, që ndodheshin në shoqërinë e të arrestuarve në momentin e sulmit.

Njoftmi i policisë Korçë:

Dhunuan për motive të dobëta, një 26-vjeçar, vihen në pranga 2 shtetas dhe në hetim 3 shtetas.

Gjithashtu, procedohet penalisht një 25-vjeçar, i pranishëm gjatë krimit, për moskallëzim.

Menjëherë pas njoftimit për një konflikt ndërmjet disa shtetasve, në lagjen nr. 16, shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë shkuan në vendngjarje, për të sqaruar rrethanat dhe identifikuar përgjegjësit. Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale:

-u arrestuan shtetasit V. J., 24 vjeç dhe Th. V., 24 vjeç, të dy banues në fshatin Polenë, si dhe u proceduan në gjendje të lirë shtetasit  Th. V., 32 vjeç, banues në fshatin Polenë, A. Xh., 23 vjeç, banues në fshatin Bulgarec dhe J. O., 24 vjeç, banues në fshatin Rëmbec, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim, pasi dyshohet se për motive të dobëta, kanë dhunuar një 26-vjeçar, i cili aktualisht është në kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën;

-u procedua në gjendje të lirë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, shtetasi Dh. M., 25 vjeç, banues në fshatin Rëmbec.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.