Sulmohet rëndë futbollisti i Skënderbeut, arrestohen dy persona, nën hetim tre të tjerë

Një ngjarje e rëndë ka tronditur futbollin shqiptar, pasi sulmuesi egjiptian i Skënderbeut, Saleh Salem, është dhunuar dje, në lagjen 16 të qytetit të Korçës, nga dy persona 24-vjeçarë, të cilët janë vënë në pranga nga policia e Korçës.

Të arrestuarit e kanë goditur disa herë në kokë lojtarin, duke i shkaktuar plagë të rënda, por fatmirësisht ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ende nuk dihen motivet e këtij sulmi të dhunshëm.

Policia e Korçës bën me dije se, përveç dy të arrestuarve, janë proceduar penalisht edhe tre persona të tjerë që i kanë shoqëruar autorët në momentin e ngjarjes. 

Njoftmi i policisë Korçë:

Dhunuan për motive të dobëta, një 26-vjeçar, vihen në pranga 2 shtetas dhe në hetim 3 shtetas.

Gjithashtu, procedohet penalisht një 25-vjeçar, i pranishëm gjatë krimit, për moskallëzim.

Menjëherë pas njoftimit për një konflikt ndërmjet disa shtetasve, në lagjen nr. 16, shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë shkuan në vendngjarje, për të sqaruar rrethanat dhe identifikuar përgjegjësit. Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale:

-u arrestuan shtetasit V. J., 24 vjeç dhe Th. V., 24 vjeç, të dy banues në fshatin Polenë, si dhe u proceduan në gjendje të lirë shtetasit  Th. V., 32 vjeç, banues në fshatin Polenë, A. Xh., 23 vjeç, banues në fshatin Bulgarec dhe J. O., 24 vjeç, banues në fshatin Rëmbec, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim, pasi dyshohet se për motive të dobëta, kanë dhunuar një 26-vjeçar, i cili aktualisht është në kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën;

-u procedua në gjendje të lirë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, shtetasi Dh. M., 25 vjeç, banues në fshatin Rëmbec.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.