Procedim penal ndaj 33-vjeçarit për zjarrvënie në Postribë, shpallen në kërkim dy persona në Shkodër dhe Malësi të Madhe

Policia e Shkodrës ka nisur procedim penal ndaj një 33-vjeçari nga Postriba, i dyshuar për zjarrvënie në një sipërfaqe kullosore në fshatin Rrasak, ku u dogjën edhe pemë frutore.

Ndërkohë, dy persona janë shpallur në kërkim: një 60-vjeçar nga Shkodra për dhunë ndaj bashkëshortes dhe një 40-vjeçare nga Malësia e Madhe, e dyshuar për vjedhje në një banesë.

Policia ka proceduar edhe tre shtetas të tjerë në gjendje të lirë për pushtim prone, ndërtim pa leje dhe dhunë psikologjike në familje.

Njoftimi i policisë:

Në vijim të punës për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorëve të zjarrvënieve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin Sh. Sh., 33 vjeç, banues në fshatin Postribë, pasi si pasojë e përhapjes së zjarrit që dyshohet se ka ndezur në një sipërfaqe kullosore që kishte në pronësi, në fshatin Rrasak, janë djegur një sipërfaqe toke dhe pemë frutore.

Këta specialistë shpallën në kërkim shtetasin L. M., 60 vjeç, banues në Shkodër, pasi ka dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij. Punohet për kapjen e këtij shtetasi.

Gjithashtu, referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
-P. Gj., 57 vjeç, banues në Shkodër, pasi dyshohet se ka pushtuar një sipërfaqe toke në proces legalizimi nga një 59-vjeçar;
-D. G., banues në Shkodër, pasi u kap duke kryer punime ndërtimi, pa leje.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Velipojë referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi në gjendje të lire për shtetasin K. K., 50 vjeç, banues në fshatin Reç, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes së tij.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe shpallën në kërkim shtetasen L. S., 40 vjeçe, banuese në Shkodër, pasi dyshohet se ka vjedhur një shumë parash, në një banesë në fshatin Boriç. Punohet për kapjen e 40-vjeçares.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.