Haaland dhe pasioni i tij, mbi 5 milionë euro në makina luksoze vetëm këtë vit
Erling Haaland është i njohur për fuqinë, shpejtësinë dhe saktësinë e tij në fushën e lojës, por jashtë saj sulmuesi norvegjez i Manchester City ka një tjetër pasion po aq të fuqishëm: makinat superluksoze. Një hobi që këtë vit i ka kushtuar më shumë se 5 milionë euro.
Në moshën 25-vjeçare, Haaland jo vetëm që drejton sulmin e një prej ekipeve më të forta në botë, por edhe një koleksion supermakinash që mund të rivalizojë me atë të çdo miliarderi. Pjesa më e re e flotës së tij është një Ford Shelby F-150 Super Snake Sport, me motor V8 prej 5 litrash dhe përshpejtim nga 0 në 100 km/h për vetëm 3,4 sekonda, me vlerë mbi 200 mijë euro. Një “monster truck” që tërheq vëmendjen kudo që shfaqet, madje edhe në hyrje të qendrës stërvitore të City-t.
Por kjo është vetëm maja e “ajsbergut”. Haaland ka shtuar në garazh edhe një Porsche 911 GT3 portokalli, një Ferrari 812 Superfast cabrio të verdhë me vlerë rreth 350 mijë euro dhe një Aston Martin DBX 4x4 prej 400 mijë eurosh. Gurthemeli i koleksionit është një Bugatti Tourbillon unik, i blerë bashkë me miliarderin Ole Ertvaag, me vlerë mbi 5 milionë euro.
Ky model ekskluziv, prodhuar në vetëm 250 njësi, ka motor V16 hibrid me 1.800 kuaj fuqi, përshpejton nga 0 në 100 km/h në 2 sekonda dhe nga 0 në 200 km/h në 5 sekonda. Me dyer “fluture” dhe dizajn futuristik, është një kryevepër teknologjie dhe dizajni.
Ndërsa Haaland përgatitet për një sezon të ri me Manchester City, ku debuton këtë të shtunë ndaj Wolves, pasioni i tij për makinat tregon një anë tjetër të personalitetit të tij: imponues, i shpejtë dhe pa kufij, si në fushë, ashtu edhe jashtë saj.