Korçë/ Vatra zjarri ende aktive në Parkun natyror të Gërmenjës, e vështirë ndërhyrja
Në afërsi të Parkut Natyror të Gërmenjës, në qarkun e Korçës, afër kufirit me Greqinë, vijojnë të jenë aktive disa vatra zjarri.
Situata paraqitet disi më e qetë sot, por rreziku mbetet, sidomos në zonat kufitare. Shumica e vatrave ndodhen jashtë territorit shqiptar, por zjarri është ende i pranishëm edhe në anën tonë.
Në terren janë të angazhuara rreth 40 persona nga shërbimet zjarrfikëse, administrata e zonave të mbrojtura, bashkia dhe vullnetarë.
Terreni është i vështirë për ndërhyrje dhe kërkon afro 3 orë ecje për të mbërritur në zonën e prekur. Gjithashtu, zona është e rrezikshme për shkak të pranisë së municioneve të mbetura.
Prej tre ditësh po punohet për hapjen e rrugëve dhe krijimin e brezave mbrojtës, në përpjekje për të ndaluar përhapjen e zjarrit drejt zonës së mbrojtur të parkut.
Ka kontakte me autoritetet greke për koordinim në zonën kufitare.