U prezantua te Reali, por si lojtarin më të mirë në botë zgjedh Messin
Franco Mastantuono ka përjetuar ditën e tij të parë si lojtar i Real Madridit. Në Valdebebas, në praninë e presidentit Florentino Pérez, drejtuesve të klubit dhe familjarëve të tij, talenti argjentinas u prezantua zyrtarisht si madrilen, në një ditë të veçantë që përkoi me 18-vjetorin e lindjes së tij.
Pas firmosjes së kontratës, u zbulua se Mastantuono do të mbajë fanellën me numrin 30, të njëjtin që kishte te River Plate. Ky numër, i zakonshëm për lojtarët e ekipit B, mund të jetë edhe një strategji e klubit për t’i lënë hapësirë një tjetër transferimi potencial nga merkatoja, ashtu siç ndodhi me Vinicius në sezonin 2018-19.
Florentino Pérez e cilësoi Mastantuonon si “një nga talentet më të mëdha që ka nxjerrë futbolli vitet e fundit”, duke e falënderuar për dëshirën e madhe për të veshur fanellën e 15 herë kampionëve të Europës.
Vetë lojtari, i emocionuar dhe i mbështetur nga familja, u zotua për maksimumin në fushë:
“Premtoj se do të jap gjithçka për këtë fanellë. Brenda fushës do të kenë edhe një tifoz më shumë. Duhet të mësoj ende shumë, por vlerat e mia vijnë nga rrethi im familjar”, u shpreh ai.
Në konferencën për shtyp, Mastantuono foli edhe për kontaktin e parë me trajnerin Xabi Alonso:
“Më dha shumë besim për të realizuar ëndrrën time”, tha ai, duke shtuar se Jude Bellingham e ka pritur ngrohtësisht.
Ndërsa për idhujt e tij, talenti argjentinas nuk pati dyshime:
“Për mua, Messi është lojtari më i mirë në botë. Të tjerët si Alfredo Di Stéfano nuk kam pasur mundësi t’i shoh, por i admiroj shumë”.
Numrin 30 e ka kërkuar posaçërisht, pasi ka një domethënie të veçantë për të. Nga nesër, Mastantuono do t’i bashkohet stërvitjes me pjesën tjetër të skuadrës, i gatshëm për t’u vendosur në dispozicion të trajnerit.