Ndërkohë që Gramshi digjet, zyrtarët fotografohen duke qeshur pranë flakëve ndërsa banorët mbeten të braktisur

Teksa Shqipëria digjet nga flakët që rrezikojnë jetën, banesat dhe natyrën, një denoncim i fortë ka ardhur nga qyteti i Gramshit, ku dy zyrtarë lokalë, Besmira Qose, Drejtoresha e Shëndetit Publik, dhe Albert Ceci, Nënprefekti i zonës, kanë zgjedhur të fotografohen në mes të vatrave të zjarrit që përfshijnë gjithë zonën. Kjo ka ngjallur indinjatë dhe zemërim të madh te qytetarët dhe banorët e prekur.

Gramshi prej tre ditësh po kalon një situatë të rënduar me zjarret, ku shumë familje kanë humbur banesat, gjën e gjallë dhe janë djegur mijëra hektarë tokë. Pamjet e publikuara të dy zyrtarëve pranë vatrave të zjarrit janë konsideruar nga qytetarët si një mungesë totale përgjegjësie.

“Këto pamje janë të papranueshme, kur njerëzit këtu kanë humbur gjithçka,” shprehet denoncuesi.

Fotot që po qarkullojnë në rrjetet sociale kanë nxitur zemërimin e banorëve dhe thirrjet për llogaridhënie nga autoritetet, në një kohë kur qyteti po përballet me një tragjedi të madhe.