Ferrari në gjysmën e parë të sezonit, Leclerc: Dallimi me McLaren është ende i madh
Pushimet verore të Formula 1 tradicionalisht është koha për të bërë një bilanc të gjysmës së parë të sezonit. Dhe gota e Ferrarit është pa dyshim më shumë bosh sesa plot. Ekipi i Maranello-s është i dyti në kampionatin e konstruktorëve, siç ishte në vitin 2024, por me një diferencë të madhe pas McLaren.
“Kokëkuqja” nuk ka fituar një garë që nga tetori i vitit 2024 dhe pa dyshim shpreson ta fshijë atë zero bezdisëse sa më shpejt të jetë e mundur. Ai që ka folur për mediet është piloti monegask, Charles Leclerc:
“Do të thosha që Red Bull-i i vitit 2023 dhe McLaren i vitit 2025 janë në të njëjtin nivel. Janë dy ekipe që po bëjnë gjithçka shumë mirë, pa asnjë pikë të dobët, të forta në të gjitha aspektet. Dallimi është se McLaren ka dy pilotë shumë të mirë, ndërsa Red Bull-i mbështetej kryesisht te Max Verstappen. Të dy kishin makinën më të shpejtë dhe nuk bëjnë gabime; janë gjithmonë aty. Të dy po e shkatërrojnë konkurrencën”, tha Leclerc.
Piloti e përshkroi SF-25, e cila po i shkakton kaq shumë probleme në këtë kampionat, si të qëndrueshme, por jo mjaftueshëm:
“Na duhet më shumë për të fituar. Për të përfituar sa më shumë prej saj, më është dashur të zgjidhja konfigurime mjaft ekstreme. Jam i kënaqur me atë që kemi bërë deri më tani me këtë makinë, nuk mendoj se mund të kishim arritur më shumë”.
“Sa afër do t’i afrohemi McLaren-it do të varet nga niveli i performancës që mund të nxjerrim. Fatkeqësisht, ne jemi vazhdimisht në të njëjtën distancë nga McLaren. Duhet të bëjmë një hap përpara. Mendoj se vendi i dytë në kampionatin e konstruktorëve është një objektiv që mund ta synojmë“, përfundoi Leclerc.