SYRI TV/ Bashkive u mungojnë zjarrfikësit, numri i tyre 25% më pak sesa standardi ligjor

SYRI TV

Përveç mungesës së një avioni zjarrfikës për të përballuar situatat emergjente të krijuara nga zjarret, vendi ynë përballet me një tjetër problematik të madhe, sa i përket luftës me flakët. Bashkitë në të gjithë vendin po përballojnë situatën e krijuar nga zjarret me 25% më pak personel zjarrfikësish, sesa e kërkon ligji. Alarmi është ngritur nga instituti i Bashkive të Shqipërisë, ndërkohë që edhe një raport i fundit i Bankës Botërore, thekson faktin se vendi ynë ka kapacitete të kufizuara për të shuar zjarret në zona të largëta

Bashkitë në të gjithë vendin po përballojnë situatën emergjente të krijuar nga zjarret me 25% më pak personel zjarrfikësish, sesa e kërkon ligji “Për shërbimin e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin”. Në legjislacion përcaktohet se çdo stacioni i shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi (MZSH) një njësi operuese dhe inspektuese që ngrihet në çdo bashki, duhet të zbatojë standardin e të pasurit 1 zjarrfikës profesionist për 1,500-2,000 banorë-raporton Monitor. Në total në të gjitha bashkitë në rang vendi janë të punësuar 1,300 zjarrfikës sipas të dhënave të Institutit të Bashkive të Shqipërisë.

Në raportin vjetor për “Qeverisja vendore në Shqipëri- Raport mbi situatën aktuale 2024” Instituti për Bashkitë e Shqipërisë evidenton se numri mesatar i zjarrfikësve në nivel kombëtar arrin 0.8 zjarrfikës për 1,500 banorë, ndërsa numri i automjeteve zjarrfikëse është 0.9 për 10,000 banorë. Kjo tregon se numri i zjarrfikësve të punësuar për 1,500 banorë është rreth 25% nën nivelin e kërkuar nga ligji “Për shërbimin e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin”.

Sipas ekspertëve, jo vetëm që numri i zjarrfikësve është nën nivelin e përcaktuar në ligjin e vitit 2015, por edhe numri i tyre rezulton se ka një shpërndarje të pabarabartë, ku bashkitë e vogla kanë më shumë zjarrfikës dhe automjete zjarrfikëse për frymë sesa bashkitë e mëdha. Po ashtu deri në fund të vitit 2018, në çdo bashki u ngritën stacione zjarrfikëse me një personel minimal prej 14 punonjësish.

Numri i stacioneve të zjarrfikësve është 70. Në kuadër të sfidave të vazhdueshme që ka Shqipëria për mbrojtjen nga zjarri, lind nevoja për rëndësinë e modernizimit të mjeteve operative dhe forcave zjarrfikëse. Një fakt i tillë u vërtetua mjaft mirë në situatat aktuale të bashkive Gramsh apo Delvinë, ku pavarësisht përpjekje të koordinuara, infrastruktura zjarrfikëse në këto bashki mbetet e kufizuar, me mungesë të mjeteve moderne dhe nevojë për më shumë personel të trajnuar.

Në raportin e fundit të Bankës Botërore mbi gatishmërinë e Shqipërisë për shuarjen e zjarreve, u theksua se vendi ka kapacitete të kufizuara për të shuar zjarret në zona të largëta, për shkak të mungesës së pajisjeve specifike si kamerat termike dhe automjetet e specializuara për zonat malore dhe të thella.

Në këtë raport, sigurisht që ndikon edhe fakti që vendi ynë nuk disponon asnjë avion zjarrfikës, ndryshe nga vendet e rajonit apo shtete të tjera. Nayrisht që është detyrë e administratës lokale dhe mbi të gjitha e qeverisë që duhet të përmirësojnë kapacitetet e shërbimit të zjarrfikësve dhe menaxhimin e zjarreve në të ardhmen. Në këtë kuadër, Instituti për Bashkitë Shqiptare ka rekomanduar rritjen e transfertave sektoriale dhe krijimin e një fondi të veçantë për emergjencat zjarrfikëse, që mund të përdoret për përballimin e situatave kritike.