Zjarri në fshatin Hormovë të Tepelenës, digjet bimësia përreth. Flakët vihen nën kontroll pas ndërhyrjes
Një vatër zjarri është shfaqur pasditen e djeshme në fshatin Hormovë, në bashkinë Tepelenë, duke shkaktuar panik te banorët dhe duke rrezikuar përhapjen në një zonë më të gjerë me bimësi dhe toka bujqësore.
Pamjet e siguruara nga vendngjarja tregojnë flakë të mëdha që përfshijnë terrenin kodrinor dhe një sasi të konsiderueshme shkurresh dhe bimësie të thatë.
Era ka ndikuar në përhapjen e shpejtë të zjarrit, duke vështirësuar ndërhyrjen e parë.
Pas sinjalizimit, në terren kanë mbërritur forcat zjarrfikëse të MZSH Tepelenë, të cilat kanë ndërhyrë për izolimin e vatrës dhe ndalimin e përhapjes së mëtejshme të flakëve drejt zonave të banuara dhe pyjeve përreth.
Pas disa orësh përpjekjesh, situata është vënë nën kontroll dhe aktualisht zona ndodhet nën monitorim të vazhdueshëm, për të parandaluar riaktivizimin e mundshëm të zjarrit.
Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar apo dëme në banesa.