SYRI TV/ Rama mashtroi për avionët zjarrfikës në fushatën elektorale të 11 majit, e konfirmon dhe Pirro Vengu

Nga SYRI TV

Debati për mungesën e avionëve zjarrëfikës ka sjellë në vëmendje mashtrimin publik të kryeministrit Edi Rama, i cili gjatë fushatës elektorale deklaroi se Shqipëria në verë do të kishte dy mjete ajrore për fikjen e zjarreve. Mashtrimin e kryeministrit e konfirmoi edhe ministri i tij i Mbrojtjes, Pirro Vengu, i cili deklaroi se avionët janë në proces blerjeje.

Në një kohë kur vendi përballet me dëme të mëdha të shkaktuara nga vatrat e rënda të zjarrit të ditëve të fundit, kryeministri Edi Rama vijoi përpjekjet për të justifikuar mungesën e mjeteve të posaçme për shuarjen e flakëve dhe ndërhyrjen e vonuar të strukturave shtetërore në disa zona. Megjithëse qeveria nuk ndërhyri për të shpallur gjendjen e fatkeqësisë natyrore në zonat e prekura, që do të sillte dëmshpërblim për banorët, Rama zgjodhi të fokusohej te sulmi ndaj mediave, duke përdorur justifikimin se edhe vendet e tjera të Europës po përballen me flakët e zjarrit.

Dhe me një tjetër ditë gatishmërie të lartë e përpjekjesh të përbashkëta, përballë një situate të përmirësuar falë mundimeve e sakrificave të admirueshme, por me rreziqe të papritura në çdo çast; me neveri për lehaqeniet që vazhdojnë avazin e tyre të krehjes para pasqyrave mediatike, teksa në tërë Europën Jugore digjen në flakë mijëra vatra zjarri nga Spanja e deri në Turqi, ju uroj një ditë sa më të qetë të gjithëve.

Situata problematike e krijuar nga vatrat e zjarrit solli në qendër edhe një mashtrim publik të kryeministrit Rama. Në datën 29 mars, në prag të fushatës elektorale, teksa prezantonte programin qeverisës, Rama deklaroi se në verë Shqipëria do të kishte dy avionë zjarrëfikës. Por përballja me flakët e gushtit tregoi edhe njëherë se Shqipëria jo vetëm që nuk i kishte dy avionët për shuarjen e flakëve siç premtonte kryeministri, por sërish u mbështet te vendet europiane, duke kërkuar mjetet e tyre ajrore për shuarjen e flakëve.

'Flota jonë ajrore do të ketë në dispozicion këtë verë, janë bërë marrëveshjet, dy avionë në dispozicion, në gadishmëri për ne pa pritur që të vijnë nga një vend tjetër.'-është shprehur Rama më 25 Mars 2025.

Mashtrimin publik të kryeministrit e konfirmoi edhe vetë ministri i tij, Pirro Vengu. I pyetur një ditë më parë nga “Syri Televizion”, ministri i Mbrojtjes përgënjeshtroi deklaratën e kryeministrit, duke thënë se avionët zjarrëfikës janë duke u blerë, ndërsa ngriti shqetësimin se Shqipëria ka edhe mungesë pilotësh.

'Avionët janë duke u blerë, ka një procedurë standarde se si bëhen këto investime, procedurat po zbatohen. Ato duhet të prodhohen që të vijnë në Shqipëri, është një proces që do kohë. Ajo që duhet të bëjmë me shpejtësi është formimi i pilotëve…'-theskoi Vengu më 13 gusht 2025.

Vatrat e zjarrit në gjithë vendin ndezën edhe njëherë debatin për mungesën e avionëve zjarrëfikës, në një kohë kur qeveria ka harxhuar miliona euro për koncesione korruptive, ndërsa vetë kryeministri miliona euro për të udhëtuar me charter privat.