Dëmet që shkaktoi zjarri apokaliptik: Delvina, dje rrethohej nga gjelbërimi, sot shkrumb e hi ! Digjet edhe kisha

Gazetari Fatjon Gjinaj raporton për Syri Televizion mbi situatën dramatike të krijuar nga zjarret në Delvinë, ku flakët kanë përfshirë një sipërfaqe të madhe toke dhe kanë shkaktuar dëme të pallogaritshme.

Qyteti, i vendosur në mes të një lugine, është rrethuar nga zjarret që janë përhapur me shpejtësi, duke përfshirë banesa, pyje, kullota dhe prona private.

Pamjet nga vendngjarja tregojnë qartë përmasat e katastrofës, me gjithçka të shkrumbuar dhe tym që mbulon horizontin.

Zjarri i cili ka nisur tre ditë më parë,  është shuar gjatë natës së mbrëmshme.

Banorët janë përballur me momente paniku, ndërsa disa familje janë evakuuar përkohësisht për shkak të rrezikut.

Disa banesa kanë pësuar dëmtime, ndërkohë që bagëtitë dhe blegtoria janë në rrezik, duke lënë shumë banorë të pasigurt për të ardhmen e pronës dhe jetesës së tyre.

Gjithashtu, një kishë në një nga fshatrat e Delvinës është shkrumbuar nga flakët, ku trerët e saj kanë rënë në dysheme dhe nuk është arritur dot që të shpëtohet.

Autoritetet lokale dhe qëndrore kanë reaguar me vonesë, ndërsa deri tani nuk janë parë grupe në terren për vlerësimin e dëmeve apo për ndihmë të organizuar.

Një avion ka ndërhyrë nga ajri për shuarjen e flakëve gjatë orëve të mbrëmjes, duke ndihmuar në neutralizimin e situatës, por frika mes banorëve mbetet ende e lartë.

Fatmirësisht, nuk raportohet për humbje jete, por disa efektivë policie dhe zjarrfikës janë trajtuar për asfiksim nga tymi. 

Pjesë nga deklarata e gazetarit Gjinaj:

Gjithçka është shkrumbuar. Kush ka bagëti, mbetet i dyzuar se çfarë do të bëjë me pjesën e shpëtuar dhe ku do të kryejë kullotën e tyre.

Ndryshe nga sa ishin pritshmëritë për të parë se ku janë grupet në terren për investime apo inventarizime, nuk kemi arritur t’i shohim, por mbetet për t’u parë në orët në vijim.

Dëmet janë të pallogaritshme. Bimësia e gjelbër dhe e kuruar e gjithë zonës përreth Delvinës, ku dhe nga pamjet që shohim, pjesa e qytetit që ndodhet në mes të një lugine ka qenë edhe vatra fillestare e përhapjes së zjarrit, është djegur pothuajse plotësisht, duke u shtrirë më tej në të gjithë Delvinën.

Janë disa banesa që kanë pasur dëmtime, ndërkohë që familjet e evakuuara janë rikthyer në banesat e tyre. Ajo që mund të themi është se mbetet për t’u parë se cili do të jetë qëndrimi i autoriteteve shtetërore për këtë situatë.

Ministri Pirro Vengo, si dhe ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, në një prononcim që patën nga Bashkia e Delvinës, thanë se ka dyshime të forta se zjarri është krijuar për shkak të një ngjarjeje incidentale dhe jo të qëllimshme, që ka nisur në “Syrin e Kaltër” të Gjirokastrës dhe është përhapur në të gjithë zonën.

Deri në orët e mbrëmjes, një avion ka qëndruar në hapësirën e Delvinës, ku ka hedhur ujë nga ajri për të neutralizuar situatën. Megjithatë, kjo situatë që ka ardhur duke u vënë nën kontroll, ka bërë që qytetarët të mos jenë ende të qetë, pasi vetëm një natë më parë kaluan një mbrëmje të gjatë për shkak të frikës së një përkeqësimi të mëtejshëm të zjarrit dhe mundësisë së ndonjë tragjedie me humbje jete.

Fatmirësisht, nuk ka pasur humbje jete, dhe nuk ka banorë të lënduar. Vetëm disa punonjës policie dhe zjarrfikës kanë marrë ndihmë mjekësore për shkak të asfiksimit. 

Gjithashtu, një kishë në një nga fshatrat e Delvinës është shkrumbuar nga flakët, ku trerët e saj kanë rënë në dysheme dhe nuk është arritur dot që të shpëtohet.