Situata e zjarreve në Gramsh/ Ende vatra aktive në Kodovjat dhe Skënderbegas! Dhjetra shtëpi e kafshë të djegura
Në njësinë administrative të Ermenjit, zjarri është vënë nën kontroll. Aktualisht ka ende vatra aktive, por puna për shuarjen e tyre vijon intensivisht.
Kushtet atmosferike janë më të favorshme sot, pasi mungesa e erës ka ndihmuar në përparimin e punës së ekipeve në terren.
Ndërkohë, në zonat e Kodovjatit dhe Skënderbegasit, mbeten ende disa vatra aktive. Përqendrimi i forcave është i fokusuar në këto zona, ku përfitimi nga qetësia e motit po ndihmon në menaxhimin e situatës.
Prej 3 ditësh vatrat e zjarrit vijojnë në fshatrat Kullollas dhe Skënderbegas në bashkinë e Gramshit dhe dëmet janë të mëdha.
Paraditen e 12 gushtit 2025 banorët e fshatrave Kullollas dhe Skënderbegas në bashkinë e Gramshit e panë veten të rrethuar nga flakët brenda pak orësh dhe luftuan që të shpëtonin shtëpitë dhe bagëtitë, por më kot.
Në fshatin Skënderbegas dhe Kullollas flakët e zjarrit kanë shkrumbuan dhjetra shtëpi. Në Kullollas u shënua dhe viktima e parë e flakëve një 80 vjeçar.
Banorët denoncuan se ndihma u erdhi me vonesë
“Avionët erdhën me vonesë, gjithçka u dogj,” i tha një banore gazetarëve.
Nga të dhënat paraprake, rreth 40 shtëpi në fshatrat e Gramshit janë djegur nga zjarri dhe janë kthyer të pabanueshme,megjithëse ende nuk ka përfunduar evidentimi i plotë i dëmeve. Sipas verifikimeve në terren një numër prej 50-60 bagëtish janë gjendur të djegura dhe disa dhjetëra kafshë pune që nuk kishin arritur të dilnin nga strehat.
Të dëmtuar janë dhe fshatrat Bletëz, Menkollar dhe Shimër.
Lexo dhe: Zjarret rrezikuan dhe Liqenin e Zambakëve