Pak gra kandidate për kryetare komunash, PDK e LDK i zyrtarizojnë garuesit e tyre për 12 tetor

Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë dorëzuar sot në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve listën përfundimtare të kandidatëve për kryetarë të komunave dhe për këshilltarë të kuvendeve komunale, duke hyrë zyrtarisht në garën e 12 tetorit me përfaqësimin më të gjerë në nivel vendi.

Ajo që vërehet nga listat e këtyre dy partive është numri i vogël i kandidateve gra për të parat e qyteteve.

Në këto zgjedhje, PDK do të garojë me 33 kandidatë për kryetarë komunash, kurse LDK vetëm një.

Përveç kësaj, PDK do të jetë e pranishme në Kllokot dhe Mamushë vetëm me listë për Kuvendin Komunal, ndërsa në Graçanicë do të marrë pjesë në një listë të përbashkët të të gjitha partive shqiptare.

Në nivel të këshilltarëve komunalë, PDK do të garojë me 878 kandidatë, prej të cilëve 555 janë burra (63%) dhe 323 janë gra (37%). Ky raport e vendos PDK-në ndër partitë me përfaqësimin më dinjitoz të grave në listat zgjedhore në nivel vendi, duke reflektuar angazhimin e saj për barazi dhe fuqizim të grave në politikë.

“PDK po hyn në këtë garë me ekipin më të gjerë, më të përgatitur dhe më të përkushtuar për të udhëhequr komunat tona drejt zhvillimit dhe mirëqenies. Kjo është një garë për punë, rezultate dhe për të ardhmen e qytetarëve tanë”, theksoi Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

Partia Demokratike e Kosovës u bën thirrje të gjithë qytetarëve që më 12 tetor të votojnë për vizionin, programin dhe kandidaturat që garantojnë zhvillim, stabilitet dhe mirëqenie për çdo komunë.

Edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, tha se LDK në zgjedhjet lokale garon me 28 kandidatë për kryetarë komunash, dhe 839 kandidatë për asambletë komunale

Ai publikoi listën e plotë të kandidatëve për kryetarë komunash.

Abdixhiku kërkoi mbështetje nga qytetarët në këto zgjedhje lokale.

“Lidhja Demokratike e Kosovës paraqet me krenari kandidatët e saj për kryetarë të komunave në zgjedhjet e ardhshme lokale. LDK garon në këto zgjedhje në 31 komuna me 28 kandidatë për kryetarë komunash dhe me 839 kandidatë për asambletë komunale. Me integritet, përvojë dhe vizion të qartë për zhvillimin e komunave tona, këta kandidatë përfaqësojnë angazhimin e LDK-së për qeverisje të përgjegjshme, transparente dhe në shërbim të qytetarëve e, mbi të gjitha, një vizion që shkon përtej të zakonshmes”.

“Ne besojmë në një Kosovë me institucione të forta, ekonomi të zhvilluar dhe jetë më të mirë për çdo qytetar. Bashkohuni me ne në këtë rrugëtim për ndryshim dhe zhvillim përtej! Ju priftë e mbara të gjithëve, e dalshi faqebardhë”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.