Që tek Siria, Egjipti e deri në Arabinë Saudite/ Netanyahu: Jam në një mision shpirtëror, ëndërroj 'Izraelin e Madh'
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar në një intervistë për i24 se ndien se është në një “mision historik dhe shpirtëror” dhe se është “shumë” i lidhur me vizionin e “Izraelit të Madh” – një koncept që përfshin territore të parashikuara për një shtet të ardhshëm palestinez dhe, ndoshta, edhe zona që sot i përkasin Jordanisë e Egjiptit.
Gjatë intervistës, gazetari Sharon Gal i dhuroi një amuletë me “hartën e Tokës së Premtuar” dhe u tall duke thënë se nuk dëshironte të “përfshihej më tej” në çështjen gjyqësore kundër kryeministrit, që lidhet me dyshime për marrjen e dhuratave luksoze nga biznesmenë për Netanyahu-n dhe bashkëshorten e tij, Sara.
Pyetur nëse ndien lidhje me këtë vizion, Netanyahu u përgjigj: “Shumë”. Ai shtoi se e sheh veten në një “mision të brezave” për popullin hebre, duke përmendur gjenerata që kanë ëndërruar të kthehen në tokën e tyre dhe ato që do të vijnë në të ardhmen.
Termi “Izraeli i Madh” u popullarizua pas Luftës Gjashtëditore të vitit 1967 për të përshkruar Izraelin dhe territoret e pushtuara atëherë – Jerusalemin Lindor, Bregun Perëndimor, Rripin e Gazës, Gadishullin e Sinait dhe Lartësitë Golan.
Ai është përdorur edhe nga sionistë të hershëm, si Ze’ev Jabotinsky, pararendës i partisë Likud, për të përfshirë territoret e sotme të Izraelit, Gazën, Bregun Perëndimor dhe Jordaninë.