Tragjedia në Mesdhe/ Anija me emigrantë mbytet pranë Lampedusës: 26 të vdekur, 60 të shpëtuar

Nga Alba Kepi

Një anije me gati 100 persona migrantë në bord është përmbysur rreth 20 kilometra në jugperëndim të Lampedusës. Deri tani janë gjetur 26 trupa pa jetë, ndërsa 60 persona janë shpëtuar. Mendohet se të paktën dhjetë të tjerë janë të zhdukur.

Mes trupave të para të gjetur janë edhe tre adoleshentë. Lokalizimi i anijes së fundosur është 14 milje në jugperëndim të ishullit. Ky është aksidenti më i rëndë pranë Lampedusës i regjistruar në vitet e fundit.

Filippo Ungaro, zëdhënës i UNHCR-it që po asiston 60 të mbijetuarit e vendosur në hotspot, deklaroi për RaiNews24 se që nga fillimi i vitit të paktën 675 persona kanë humbur jetën përgjatë rrugës së Mesdheut Qendror, pa përfshirë këtë aksident tragjik.

Reagon Giorgia Meloni

Kryeministrja Giorgia Meloni me një deklaratë zyrtare për mediat u shpres se ‘tragjedia e sotme ngjall tek të gjithë një ndjenjë të thellë tronditjeje.’

‘Është e qartë cinizmi me të cilin trafikantët e qenieve njerëzore organizojnë këto udhëtime të rrezikshme,’ deklaroi ajo.

Meloni ripërsëriti angazhimin e qeverisë për të luftuar këta trafikantë, duke parandaluar nisjet e paligjshme dhe duke menaxhuar fluksin migrator. Sipas saj, kjo tragjedi tregon se ndërhyrja për shpëtimin nuk është e mjaftueshme dhe nuk zgjidh shkaqet e këtij problemi dramatik.

Reagon dhe zv/kryeministri Matteo Salvini

‘Vdekjet në Lampedusa më prekin thellë: përtej keqardhjes dhe lutjeve, kemi detyrimin të angazhohemi për të luftuar trafikantët e qenieve njerëzore, të cilët janë përgjegjësit e vërtetë dhe të vetëm të kësaj tragjedie, së bashku me ata që mbështesin  emigracionin pa kufij.’- shkruan Matteo Salvini.